Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të martë se Shqipëria ka gati pasaportën e vaksinimit. Mësohet se kjo pasaportë do të jetë e vlefshme për t’u shkarkuar vetëm pas kryerjes së dy dozave të vaksinimit duke pasur parasysh që vaksina Pfizer kërkon injektimin e dy dozave.

Në pasaportë do të jenë të shënuara përveç kredencialeve edhe ditët kur i vaksinuari ka marrë injeksionet. Ky shërbim është gati dhe mund të gjendet lehtë në aplikacionin e-Albania. Pasaporta online do të merret menjëherë dhe nuk është e nevojshme të pritet. Po ashtu nuk do të ketë asnjë kosto për qytetarët.

Mësohet se së shpejti në e-Albania do të ketë një sistem ku qytetarët do të rezervojnë oraret e vaksinimit për veten ose fëmijët. Kreu i qeverisë Edi Rama tha ditën e sotmese është krijuar pasaporta dixhitale e vaksinimit për shkak se vendi përgatitet për sasi të mëdha vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, por edhe duke u parapërgatitur për mundësinë që vaksinimit të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga shtete të tjera.