Koalicioni opozitar ka dhënë shenjat e para të mosbesimit kur na ndajnë 24 ditë nga zgjedhjet parlamentare të Prillit. Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesit e LSI-së dhe PDIU-së debatuan ndërmjet tyre se cilës prej partive i takon numëruesi i katërt i votave, raporton gazetarja e Top Channel, Elda Menga. Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017, PDIU pretendoi se numëruesi i katërt në grupet e numërimit të votave duhet të ndahej me short me LSI pasi të dyja partitë ishin forca opozitare.
Por, përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj u shpreh kundër duke ngritur si pretendim se vetë PDIU nuk ka listën e vetë të kandidatëve në fletën e votimit pasi është nën siglën e Partisë Demokratike, raporton Top Channel. ” Këtu në fletën e votimit ne nuk do të shohim siglën e PDIU-së. Çfarë do të numëroi numëruesi i PDIU-së. Siglat e tjerë?! Çfarë do të garantojë numëruesi i PDIU-së?! Votat e LSI-së?! Votat e PSD-së?! votat e PS-së?! Ja është logjikë e thjeshtë”, u shpreh Kaziaj.
Argumentet e përdorura nga përfaqësuesi i LSI-së duket se e bindën Ilirjan Celibashin, i cili vendosi që këtë numërues ta marrë LSI. Pas vendimmarrjes së sotme, nga katër numërues votash që do të ketë një tavolinë, 2 janë të PS-së, një të PD-së një të LSI-së.