Një raport i prezantuar me bujë si i hartuar nga “Transparency International” është publikuar ditën e sotme. Me titullin “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri”, autorët pretendojnë se analizojnë me sukses prova që vërtetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe ligje të bëra me porosi për të favorizuar sipërmarrës të ndryshëm në periudhën 2008-20.

Por, tre faktorë thelbësorë ngrejnë dyshimet e forta se studimi është politikisht i njëanshëm. E para, ai nuk është një studim i Transparency International. E dyta, të tre autorët janë shqiptarë dhe të njohur publikisht për qëndrimet e tyre kundër qeverisë dhe pro opozitë. E treta. Metodologjia e përdorur është në kufijtë e amatorizimit, aq sa autorët citojnë vetveten apo persona aktualisht nen hetim per te prodhuar konkluzione. Gjithashtu, citimet e institucioneve të huaja janë rëndom të nxjerra nga konteksti, të vjetëruara apo të shkëputura për të nxjerrë një konkluzion që raporti origjinal nuk e mbështet. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, dy prej tre autorëve kanë konflikte të njohura interesi me qeverinë.

Le t’i marrim me radhë. “Transparency International” apo jo?

Raporti është publikuar nën emrin e “TIA”, por nga ana tjetër ai nuk figuron në faqen e “TIA”-s. Raporti në fjalë është publikuar vetëm në faqen e “IDM”, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Në dhjetor 2020, “TIA” publikoi një raport të zgjeruar për fenomenin e kapjes së shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Ky është raporti i vetëm i “TIA” ne lidhje apo i ngjashem me temen e trajtuar.

Ajo që publikohet sot është një studim i “IDM”, instituti shqiptar që për të realizuar studimin ka përfituar edhe një donacion nga “TIA”. Por, fakti që të tre autorët janë shqiptarë është një provë më shumë se kjo organizatë ndërkombëtare nuk është autore e përfundimeve të arritura në studim.

Autorët dhe konflikti i interesave

Autorët janë vetëm tre. Të tre shqiptarë. Gjergj Vurmo, Rovena Sulstarova dhe Alban Dafa. Dy të fundit kanë konflikt interesi. Rovena Sulstarova, me mbiemër vajzërie Çadri, është bashkëshortja e Enis Sulstarovës, një funksionar i lartë i “Vetëvendosjes” në Shqipëri dhe një i opioninist i zakonshëm në televizionet shqiptare, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme ndaj qeverisë.

I dyti, Alban Dafa ka qenë i punësuar në shtetin shqiptar deri në 2019. I diplomuar në një Akademi Navale në SHBA, Dafa ka qenë roje bregdetare në flotën detare shqiptare për shumë vite, por pas largimit edhe ai është dalluar për qëndrimet aspak objektive politike. Përshembull, në 23 mars, në “Twitter”, Dafa kritikon Kryeministrin Rama për faktin që pranoi vaksinat ruse dhe kineze. Disa ditë më parë, përsëri në “Twitter”, Dafa kritikonte Kryeministrin Rama për faktin që nuk pranonte vaksina ruse dhe kineze. Qëndrime kontradiktore, që shtyjnë në dyshimin se për të, çdo gjë që bën Kryeministri Rama është e gabuar apriori.

Autori kryesor i studimit, Gjergji Vurmo, gjithashtu përdor një gjuhë të inflamuar në “Twitter” për të kritikuar Kryeministrin Rama. Ashtu si në rastin e Dafës, kjo është një gjuhë që provon se ndryshe nga sa pretendohet në raport, asnjë nga të tre autorët nuk është i paanshëm.

Metodologji amatore

Për një studies të mirëfilltë, metodologjia e përdorur është në kufijtë e amatoriales. Gjithashtu, si në një ese gjimnazi, studimi është i mbushur me linqe të vendosura kuturu nëpër faqet e tij, të papërmbledhura në një kapitull të mirëfilltë për bibliografinë e përdorur. Por, përtej aspektit estetik, metodologjia e përdorur ka tre probleme madhore. E para, autorët, siç provon imazhi i bashkangjitur, në shumë raste citojnë vetveten. Pra për të arritur në konkluzionin se shteti është i kapur, zoti Vurmo citon një studim të mëparshëm të vetes. Në mënyrë të kuptueshme, Vurmo i studimit të parë, mbështet përfundimet e Vurmos së dytë, ku dhe i pari dhe i dyti janë i njëjti person.

E dyta. Studimi ka shumë pak burime autoritare, ndërsa është i mbushur deri në fyt me linqe të marra nga portalet. Dyshimi mbi porositjen e studimit mbështetet nga fakti që pothuajse të gjithë linqet e shkëputura janë nga portale të njohura për qëndrimet e tyre opozitare, kryesisht Reporter.al dhe “Exit.al” i Neritan Sejaminit, një njeri i afër i Bashës.

Nuk është hera e parë që studimet ndërkombëtare lexohen sipas qejfit në Shqipëri. Njëra palë i sheh kritike, tjetra gjen në të njëjtin studim elozhe dhe lavdërime. Por, rrallë mund të ketë ndodhur që një studim, i shitur si i huaj, nga autorë shqiptarë me konflikte interesi dhe politikisht të njëanshëm, duke cituar vetveten, shitet si një përfundim aq i jashtëzakonshëm saqë bëhet direkt objekt i fushatës. E njëkohësisht, përdorimi i këtij raporti në këtë mënyrë është një provë se në fushatën aktuale politike, për disa forca politike nuk ka rëndësi e vërteta, siç nuk ka rëndësi as shëndeti i njerëzve, por vetëm një grusht votash më shumë.