Milani ka udhëtuar drejt Anglisë, ku nesër në mbrëmje do të përballet me Manchester United në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Europa Leagues, ndërsa trajneri Stefano Pioli ka lënë në Milano disa nga titullarët e tij.

Bëhet fjalë për emra si Theo Hernandez, Hakan Calhanoglu, Ante Rebiç, të cilët kanë shfaqur probleme dhe Pioli ka vendosur t’i lërë në Milani, për t’i rikuperuar plotësisht për fundjavën ndaj Napolit, ndërsa në listë mungojnë edhe të dëmtuarit e tjerë si Ibrahimovic, Bennacer e Mandzukic.

Tekniku kuqezi doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli me superlativa për “djajtë e kuq” dhe tha se i ka ndjekur ata edhe në sfidën e fundjavës në derbin ndaj City-t të Guardiolës, ku fituan 0-2.

“Manchester United më ka impresionuar në derbin ndaj City-t, pasi kanë fituar ndaj një kundërshtari shumë të fortë, duke bërë një ndeshje me intensitet të lartë dhe cilësi. E kemi studiuar mirë edhe këtë ndeshje të tyre, ndaj shpresoj t’u përgjigjemi në mënyrën e duhur nesër”, tha Pioli.

Kuqezinjtë po shfaqin luhatje të shumta në ndeshjet e fundit, ndërsa trajneri pranon se ka ende punë për të bërë dhe se do të duhen ende disa sezone për të rikthyer Milanin e madh, që fitonte në Itali e Europë.

“Kemi ende punë për të bërë sa i përket qëndrimit në fushën e lojës, pasi ka shumë vend për përmirësim. Maldini e ka thënë që duhen disa vite për t’u rikthyer në nivele të larta dhe për ta bërë këtë, duhet të fillojmë të marrim pjesë në Champions për të fituar eksperiencë”, u shpreh trajneri i Milanit.