Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publik Raportin e Strategjisë Kombëtare të Kontrollit të Narkotikëve duke vënë theksin tek pastrimi i parave dhe Kontrolli i drogës dhe lëndëve narkotike. Raporti vë në dukje se Shqipëria ka patur progres me zbatimin e ligjit anti-Mafia, duke sjellë në vëmendje konfiskimin prej 40% të pasurisë së Klement Balilit, njohur si ‘Eskobari i Ballkanit’ dhe sekuestrimin e bizneseve të shumta të Ylli Ndroqit, i cili  dyshohet se ka organizuar trafik narkotikësh në Turqi dhe Itali

Raporti gjithashtu thekson se ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, edhe pse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm. Ligji Anti-Mafia u ndryshua në vitin 2020 për të përmirësuar menaxhimin e pasurive të konfiskuara.

Raporti thekson rëndësinë e krijimit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) duke iu dhënë këtyre institucioneve mundësinë për të konfiskuar pasuritë e paligjshme, në mënyrë që të kufizojë aktivitetin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të kriminelëve. Sipas raportit, themelimi i Spak tregoi sukses të menjëhershëm, përfshirë dënimin e trafikantëve apo sekuestrimin e pasurive të tyre. Plotësimi i personelit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është krahu hetimor i SPAK, ka pësuar vonesa, por mbetet i vazhdueshëm

SPAK, i cili u bë operacional në Dhjetor 2019, ka regjistruar suksese në luftën kundër trafikimit dhe krimit të organizuar dhe sekuestrimit të pasurive të pastruara.

”Reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të ç’rrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave.’‘, thuhet ne raport.

Reformat kushtetuese dhe ligjore në vitet e fundit përfshijnë reformat në sistemin e drejtësisë dhe verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. 46 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar deri më sot kanë dështuar si rezultat i pasurisë së pashpjegueshme ose të pasur lidhje personale me subjekte të dyshimta, dhe një tjetër 17 % kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur kontrollin.

Në vitin 2020, 131 hetime të reja të pastrimit të parave u hapën nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nga ku 23 të pandehur u gjykuan në gjykatë, nga të cilët tre u dënuan. Për më tepër, Policia e Shtetit hetoi 375 krime të pastrimit të parave dhe 2,891 raste të krimeve financiare në vitin 2020, duke çuar në mbi 15 milion dollarë në para dhe pronë të sekuestruar