Në një komunikatë prej 61 fjalësh, monarkia angleze ka thyer heshtjen pas deklaratave shokuese të bëra nga nipi i Mbretëreshës, Princi Harry dhe gruaja e tij amerikane Meghan Markle dhënë intervistueses të stacionit televiziv amerikan CBS, Oprah Winfrey.
Sipas deklaratës, çështjet që kanë të bëjnë me qëndrimet racore janë shqetësuese dhe merren shumë seriozisht nga Pallati Buckingham. Deklarata e shtypit thekson se edhe pse kujtimet për këto çështje mund të jenë të ndryshme, ato do të adresohen privatisht. Kujtojmë se Meghan Markle i tha intervistueses se burri i saj Harry ishte pyetur nga një person i identifikuar i familjes se çfarë ngjyre lëkure do mund të kishte djali i tij Archie.
Në fund të deklaratës thuhet se princi dhe familja e tij do të jenë gjithmonë pjesëtarë të dashur të familjes.
Duke dekoduar mesazhin e komunikatës së monarkisë, njohësit e saj thonë se dukshëm Mbretëresha dhe Familja Mbretërore nuk do donin që kjo çështje të diskutohej me të në publik dhe toni i saj është pajtues.
Mbetet të shihet se sa dhe si do mund të përmirësohen marrëdhëniet personale mes mbretërve dhe princit Harry dhe prova e parë publike do jetë qershori i ardhshëm kur pritet inagurimi në Londër i memorialit për nder të princeshës Diana, nëna e princit Harry dhe vëllait të tij Uilliam, mbretit të ardhshëm të Anglisë, ku marrëdhëniet mes tyre dhe familjeve të tyre respektive mbesin të ngrira dhe të ftohta.