254 djem dhe vajza u përzgjodhën për të kryer Stërvitjen Individuale Bazë, përpara se të titullohen ushtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Të rinjtë dhe të rejat u përcollën personalisht nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj. Në zbatim të masave anti-COVID, ceremonia e përcjelljes u zhvillua me një numër shumë të kufizuar të rekrutëve të rinj. Ministri Peleshi i përgëzoi rekrutët për zgjedhjen për t’u bërë pjesë e FA dhe i siguroi ata se do t’i mbështesë personalisht në rrugëtimin e tyre. “Shumë shpejt do ta kuptoni që keni bërë zgjedhjen e duhur. Unë ju siguroj se do të keni vëmendjen dhe kujdesin tim të vazhdueshëm si ministër i Mbrojtjes, por pa dyshim, dhe të të gjithë komandantëve dhe drejtuesve tuaj ushtarakë. Ju do të jeni ata që do të shërbeni dhe nderoni Shqipërinë në misionet aktuale, por dhe ato të së ardhmes. Kjo do të thotë që ju nuk do të jeni ushtarë të Forcave të Armatosura shqiptare, por dhe ushtarë të Aleancës, ju do të jeni ushtarë të NATO-s.”
Duke folur për arsimimin në Forcat e Armatosura, ministri Peleshi informoi të rinjtë për objektivat e tij për të sjellë risi në Akademinë e FA. “Jeni shumë pranë finalizimit për të hapur degën teknologjive të informacionit në fushën e mbrojtjes, që do të thotë, kush mbaron bachelorin, mund të punojë në fushën e mbrojtjes, në specialitetin e teknologjive të informacionit që është iu pafund. Duam të hapim edhe një master të sigurisë kibernetike. Dikush prej jush apo kushdo tjetër, mund të ndjekë këtë master dhe të specializohet në një fushë për të cilën jo Shqipëria, por bota ka më shumë kërkesë sesa ofertë.“- u shpreh zoti Peleshi. Për shkak të pandemisë rekrutët do ta zhvillojnë Stërvitjen Individuale Bazë, jo vetëm në Shkollën e Trupës në Bunavi, por edhe në mjediset e batalionit të I të këmbësorisë në Vaun e Dejës dhe batalionit të III të këmbësorisë në Poshnje të Beratit. Shpërndarja e rekrutëve është bërë edhe në bazë të vendbanimit të tyre, me qëllim që të jenë sa më afër banesës.
Nga 254 kandidatë për ushtarë, 21 prej tyre janë vajza dhe 11 janë me arsim të lartë.