Moti vazhdon të na surprizojë. Pas ditëve me diell dhe temperatura pranverore dita e nesërme pritet që të riktheje reshjet e shiut në territorin shqiptar. Meteorologia Adiola Bani nga MeteoAlb në një lidhje direkt për Ora News tregoi se kjo fundjavë do të jetë e paqëndrueshme pasi nuk do të mungojnë reshjet e shiut dhe ato të dëborës kryesisht në zonat malore.
“Kjo fillim pranvere ka nisur me diell dhe temperatura relativisht të larta. Termometri ka shënuar 18-19 gradë celsius. Por do të kemi ndryshim të motit pasi dita e nesërme do të na sjellë prezencë të vranësirave. Nesër gjatë pasdites reshjet e shiut do të përfshijnë zonën perëndimore dhe gradualisht gjatë natës të gjithë teritorin shqiptar.
Në zonat e thella malore do të kemi edhe reshje të dëborës, kryesisht mëngjesin e ditës së shtunës edhe gjatë natës duke u gdhirë dita e diel. Reshje kemi vetëm në zonat e thella malore, kryesisht veri-verilindje ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje shiu”, tha ajo. Bani tregon se vetëm ditën e dielë do të shohim një përmirësim të kushteve të motit ku temperaturat do të shënojnë deri në 15 gradë celsius. Sa i përket muajit mars sipas meteorologes do të jetë një muaj tipik i reshjeve ku do të kemi një ndërthurje të temperaturave të larta dhe ditëve me shi.