Trajneri i Kombëtares Edi Reja shpesh deklaron se nuk është i prirur të bëjë eksperimente me formacionin, por vlerëson gjendjen e lojtarëve duke aktivizuar ata që janë më në formë. Gjithsesi, nga formacionet që nisin ndeshjet, risitë apo të ashtuquajtura eksperimente nuk mungojnë. Për San Marinon është i pezulluar nga kartonët Klaus Gjasula, ndërsa Florian Kamberi u largua nga grumbullimi me pretekstin se është i dëmtuar.

Gjithashtu, dje nga grumbullimi i kuqezinjve u largua edhe mesfushori, Nedim Bajarami, i cili nuk pati mundësi të debutonte në tri ndeshjet e para në Grupin I. Për sa i përket formacionit zyrtar, Reja i ka treshen e mbrojtjes, Ajetit, Veselit dhe Gjimshitit, për të vazhduar nga krahët me Hysajn dhe Lenjanin. Mesfusha formohet nga Ramadani, Laçi dhe Bare, ndërkohë që në sulm është Broja dhe Cikalleshi. Fillimisht u raportua se titullar do të ishte Memushaj, por në momentet e fundit, për shkak të një dëmtimi, vendin e vlonjatit e zuri, Qazim Laçi.