‘Foto-Studio Marubbi’ u themelua në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili vizitoi dhe u vendos përfundimisht në Shkodër në atë kohë, ndërsa ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh. Më tej në vitin 1970, u themelua Fototeka “Marubi” me rreth 500,000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme. Në këtë rrethana, krijimi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” erdhi si nevojë për të evidentuar dhe promovuar arkivin fotografik të Dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë të qytetit të Shkodrës, si një trashëgimi kulturore të rrallë për nga natyra e vet, transmeton lexo.com.al.

Kjo trashëgimi unike është një nga atraksionet më të famshme të qytetit dhe Shqipërisë, duke u bërë pjesë e gujdave ndërkombëtare. Për ta promovuar më tej atë dhe me synim për ta bërë pjesë të trashëgimisë botërore, prej dy vitesh po punohet për ta përfshirë Muzeun e Marubit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Sipas zyrtarëve të përfshirë, përgjatë kësaj periudhe është kryer një punë voluminoze dhe gjithëpërfshirëse dhe ekziston shpresa se brenda 1 viti të merret një përgjigje pozitive për këtë iniciativë./Lexo.com.al/e.c.