Qendërmbrojtësit Virgil van Dijk dhe Joe Gomez nuk do të riaftësohen plotësisht për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian 2020 gjatë kësaj vere, sipas trajnerit të Liverpooli Jurgen Klopp. Përfaqësuesi i Holandës Van Dijk u operua pas një lëndimi të rëndë në ligamentet e gjurit në tetor, transmeton Gazeta Express.
Gomez u lëndua gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren e tij, Anglinë, në nëntor dhe u operua në gjurin e majtë. “Joe nuk është duke vrapuar, Virgil ka filluar të vrapojë tashmë por do të jetë shumë e vështirë”, tha Klopp. EURO 2020 do të mbahet nga 11 qershori deri më 11 korrik, pasi u shty për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Duke folur për përfshirjen e mundshme të Van Dijk dhe Gomez në këtë turne, Klopp: “Nuk është vendimi im, por të jem i sinqertë, siç jam informuar unë, ka shumë pak gjasa”. “Jo sepse unë nuk i lejoj të shkojnë, por për shkak të shkallës së lëndimit të tyre. Ne shpresojmë se ata do të jenë të gatshëm t’i nisin përgatitjet me ne për sezonin e ardhshëm, këtë shpresë e kemi ne”, shtoi ai.