Ndryshe nga negociatat e fundit të Edi Ramës për listën e Tiranës, në kampin blu nuk shihen surpriza. Të paktën deri tani.
Basha e ka mbyllur prej kohësh këtë qark duke dërguar njerëzit në terren, ashtu siç është bërë transparente edhe nga vetë lista e të dërguarve nëpër degët e Tiranës.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Basha ka sjellë në Tiranë Aldo Bumçin, Alfred Rrushajn, Agron Shehajn, Flamur Nokën dhe ka futur Belind Këlliçin
Ndërkohë, vijojnë (ashtu si edhe në 2017, por me ndryshim zonash) tre figurat kryesore të PD-së femra, Grida Duma, Jorida Tabaku, dhe Albana Vokshi.
Një tjetër pretendente për te qenë në listën e Tiranës, Oriola Pampuri pritet që të zhvendoset në një tjetër qark.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se do ta kryesojë vetë Tiranën, si qyteti që i ka sjellë atij fitoren si kryebashkiakut, ndërsa pritet që atij t’i bashkohet në listë edhe lideri historik i të djathtës, Sali Berisha.
Burime nga PD i thanë gazetasi.al se në listën e Tiranës për një vend të sigurt kanë marrë miratimin e Bashës edhe Dashamir Shehi i LZHK, Fatmir Mediu i PR dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së.
Mësohet se pjesë e listës së Tiranës do të jenë edhe Mesila Doda e PDIU dhe Blendi Sula i PR, por të pozicionuar poshtë në renditje pas emrave të mësipërm.
Sipas të gjitha gjasave, Basha e ka mbyllur enigmën e Tiranës. Gjithësesi gjithçka pritet që të bëhet publike të hënën ne mesditë, nëse kryetari i demokratëve do të surprizojë me një emër jashtë PD-së apo do t’i mbetet fanatik njerëzve të partisë.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PD mori një rezultat të dobët ne Tiranë dhe u përfaqësua në Kuvend me 11 deputet. 5 deputete i fitoi LSI-ja ndërsa PS-ja mori 18 deputetë.
Këto zgjedhje, opozita në grup synon që të dalë në Tiranë me barazim mandatesh me PS.