Aeroporti i Kukësit i përuruar sot me fluturimin e parë, është përgënjështrimi më i fundit i akuzave të opozitës që thotë se Edi Rama arrin të realizojë vetëm projekte 3D. Pista dhe aeroporti i Kukësit janë një vepër konkrete e realizuar në kohën e premtuar nga Edi Rama, i cili dy vite më parë tha se do të sillte në Kukës një grup nga “çunat e Londrës” të gatshëm të votonin Sali Berishën. Në të vërtetë, për atë grup zgjedhësish të transportuar në Kukës dhe ndoshta simpatizantë të PD-së, Edi Rama e di mirë se mund të fitojë më shumë vota në pjesën tjetër të vendit.
Aeroporti i Kukësit për opinionin publik shqiptar ka të njëjtën rëndësi ekonomike dhe gjeo-politike si ajo e Rrugës së Kombit. Sali Berisha u nxitua ta inagurojë pjesa e pare me 25 qershor 2009, pra vetëm 24 orë para zgjedhjeve dhe impakti në rezultatin e votës ishte i pashmangshëm. Eshtë e vështirë të besosh se Rruga e Kombit 2, e hapur nga fluturimi i Air Albania që u ul sot pasdite në pistën e Kukësit, nuk do ta ndihmojë Edi Ramën në zgjedhjet që do të mbahen pas 6 ditësh.
Në orët e ardhshme pritet një tjetër inaugurim i befasishëm, ai i spitalit të Fierit i ndërtuar në kohë rekord si një dhuratë e qeverisë turke. Do të jetë e lehtë për Edi Ramën ta paraqesë si një vepër tjetër konkrete dhe një premtim të mbajtur. Siç është konkret by-pass i Fierit, siç do të bëhet konkret by-pass i Vlorës, siç janë konkrete lungomaret e Vlorës apo Sarandës, siç është konkrete unaza e Tiranës, sheshi Skenderbej apo stadiumet e reja të Tiranës, Shkodrës apo Elbasanit dhe qendrat historike të Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Tiranës etj. Në të vërtetë është shumë më e gjatë lista e punëve të realizuara se ato të mbetura në 3D dhe opozita gaboi përsëri duke e përqëndruar propagandën e saj në këtë fallsitet tjetër, pasi tani që vjen ora e votimit, ky fallsitet demaskohet lehtësisht.
Eshtë i njëjti gabim i bërë me bazimin e fushatës elektorale mbi falimentimin e luftës anti-Covid dhe pikërisht tani që afron ora e votës, qeveria ka sjellë një lumë vaksinash duke e çuar përhapjen e virusit në nivelet më të ulëta në rajon. Pra nëse Partia Socialiste me 25 prill do të arrijë të marrë mandatin e saj të tretë, nuk do të jetë vetëm një fitore për Edi Ramën, por do të jetë edhe humbja e opozitës, e cila me gabimet dhe gënjeshtrat e saj, diti të zmadhojë meritat e kundërshtarëve.
Dhe gabimet e opozitës vazhdojnë. Sapo avioni u ul në Kukës, PD nxitoi të nxinte arritjen: fluturimi nuk ishte direkt nga Londra, por ka bërë përpara ulje në Tiranë, pra një tjetër premtim i pambajtur nga Edi Rama!! Një komentues ja ka shkruar në faqen e facebook: ”Jeni Partia Demokratike e Shqipërisë, mos bini ne nivelin e idioteve te portaleve me lesh dhie. Kujt i plasi se avioni nuk erdhi nga Londra direkt por nga Rinasi? A u ul? Do te thote qe eshte funksional! Do perdoret edhe kur Rama mos te jete me Kryeminister dhe te jete nje demokrat ne krye te qeverise. Keshtu qe gezohuni dhe ju.” Edhe militantët e vet rrezikojnë të mos e besojnë më. Nuk do të ishte më mirë, herë pas here, një heshtje strategjike?./shqiptarja.com