Pas vonesës me një ditë, në Rinas kanë mbërritur sot 100 mijë doza të vaksinës kineze. I pranishëm në aeroportin e Rinasit, Ministri Arben Ahmetaj tha se asgjë nuk do ta ndalojë objektivin për vaksinimin e 500 mijë shqiptarëve deri në qershor, ndërsa shtoi se javën që vjen, të hënën ose të martën, do të vijnë edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze.

Ai shtoi po ashtu se ka marrë autorizimin për të negociuar edhe për 50 mijë doza të vaksinës ruse, Sputnik V, që pritet të vijnë në javët në vijim.

“Asgjë nuk do na ndalojë të bëjmë 500 mijë vaksinimet për qytetarët shqiptarë. Numrat janë në rënie. Kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit do të vazhdojë me shpejtësi. Ne jemi sërish duke negociuar me vende mike, me prodhues. Dje kemi marrë autorizimin nga Këshilli i Ministrave për të negociuar për 50 mijë vaksina ruse që do vijnë javët e ardhshme, ndërsa javën e ardhshme, të hënën ose të martën vijnë 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze”, tha Ahmetaj.