Lulzim Basha ka dalë në mesditë dhe ka deklaruar se PD-ja ka fituar bindshëm e deri tani, sipas tij, janë numëruar bastionet e Partisë Socialiste. Basha po mundohet të japë një mesazh që do të shkojë drejt bllokimit apo “minimit” politik të triumfit të Edi Ramës, por matematika e tij nuk qëndron.
Në rang Shqipërie, votat e para janë ato të Pustecit, një bashki që asnjëherë nuk është fituar nga Partia Socialiste; gjithmonë është fituar nga ana e LSI-së, partisë minoritare maqedonase, por edhe PD-së.
Po ashtu u hapën kutitë e Devollit, ku Partia Demokratike ka pasur gjithmonë përparësi dhe këtë radhë është në dizavantazh. Basha përmend Këlcyrën si bastion të PS-së, por që realisht asnjëherë kjo zonë nuk ka qenë bastion, por ka lëvizur nga të dyja palët, duke qenë se PD ka pasur bashkinë disa herë.
Ndërkaq, meqë Basha përmendi Tiranën, ai theksoi njësinë 10, ku tha se PD ka rikuperuar një bastion të PS. E pasaktë: Njësia 10 ka qenë shpesh bastion i PD-së, e cila ka drejtuar minibashkinë para vitit 2015, kur krerët e njësive zgjidheshin direkt nga populli.
Duhet kujtuar se nuk është hapur akoma mirë Njësia 5 në Tiranë, që po bllokohet nga numëruesit e PD.
Siç thotë Erjon Braçe, është bllokuar Divjaka, apo dhe Njësia 7 në Tiranë, Njësia 2 etj. U hap Kavaja bashki mbrëmë, e cila është fituar nga PD në vitin 2017. Pra alibia e Bashës ka një qëllim të caktuar, përveç një mbajtje të situatës në tension, të tentojë të bllokojë triumfin e Edi Ramës sa më shumë që të jetë e mundur.