Mariza Ikonomi është një nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar , këngët e së cilës janë kthyer në hite ndër vite dhe këndohen nga të gjithë grup-moshat.
Artistja ka nxjerrë së fundmi projektin më të ri muzikor me titull “Dua të jetoj”. E ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit” ajo ka treguar arsyen pse videoklipin e këngës e ka publikuar mbrëmjen e 31 dhjetorit. Sipas Ikonomit, kryesore në këtë këngë është mesazhi, i cili është plot shpresë në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë.
“E kam publikuar më 31 dhjetor. Unë desha ta publikoja më 25 dhjetor për Krishtlindje dhe siç pata thënë kisha vendosur të mos bëja më balada. Po nga kjo periudhë e vështirë që po kalojmë, e ndjeva që ajo këngë duhet të publikohej se duhet të përcillej ai mesazhi që mbart. Pasi ka gjithmonë shpresë për të gjithë ata që duan të shohin të mirën, të gjejnë shërim”, tha këngëtarja shqiptare.
Ndërkohë, këngëtarja ka bërë publike faktin që ka kaluar virusin Covid-19, ndërsa tani është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Covidin e kalova. Të them të drejtën nuk e kam kuptuar. Isha mirë, më la ca pasoja po jam mirë mos të qahemi”, u shpreh Mariza ikonomi.