Në një rrëfim ‘pa doreza’, ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka rrëfyer këtë të diel shumë detaje interesante të historisë së tij politike, sidomos në bashkëpunimin që ka pasur me ish-Kryeministrin Sali Berisha.
Në emisionin ‘Kojshia Show’ në Kosovë Topi zbuloi se si e kishte parë Sali Berishën duke qarë në zyrën e tij.“Sipas meje Berisha është një person me kontribute të forta në politikën shqiptare. Ka qenë në sytë e mi dhe të intelektualëve në përgjithësi një njeri shumë serioz. Një njeri që ishte vështirë të përzihej serioziteti qoftë edhe me momente humori, pra ishte një njeri jashtëzakonisht i motivuar në punën e tij. Pastaj me kalimin e kohës, politika shqiptare në përgjithësi degradoi. Ju keni parë ngjarje të cilat lidhen me Parlamentin shqiptar që çdo person që del aty del pa “Rr” para opinionit publik. Mund të them që edhe vetë Berisha në një farë mënyre pati degradimin e tij në sjelljen publike. Pra, ndryshe ka qenë Berisha në fillimet e tij një lider shumë serioz ku vulgariteti nuk gjente vend , pastaj me kalimin e viteve si duket edhe nervat ju prishën nga debatet dhe nga mënyra se si po zhvillohej politika në Shqipëri, por politikani sjelljen e vet e ka me vete. Tek e fundit çdo njeri e di mirë se si i përdor instrumentet e tij dhe mesa duke tani ka gjykuar që duhet të sillet në këtë mënyrë” – tha Topi.
Ndër të tjera Topi kujtoi dhe momentin se si e ka parë Berishën në vitin 1997 kur në Shqipëri kishte nisur lufta civile dhe ai la postin e Presidentit.
“Ka qenë një moment shumë i vështirë që lidhet me 97. Më kujtohet që ka qenë dita kur Berisha la Presidencën për tu kthyer te Partia Demokratike. Kam shkuar në mbrëmje për ta takuar për ti demostruar në mënyrë shumë të natyrshme solidaritetin human të kolegut duke i thënë që shtëpia ime është 200 metra larg nga Selia, sepse në atë kohë jetoja në qendër të Tiranës. Unë jam për ty çdo minutë të 24 orëshit vi menjëherë, llogarit një mik. Nuk ka pasur hipokrizi pasi ka qenë një ditë shumë e vështirë”- shton ish-presidenti duke risjellë dhe njëherë atë që ka shkruar në librin e tij “Nocturn” që Berisha “U përshëndet gati i përlotur. Ishte në një gjendje morale të rënduar”, ka deklaruar ndër të tjera, ish-Presidenti, ish-nënkryetar i PD-së, ish0kryetar i FRD-së. Bamir Topi.