Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur mbrëmjen e së enjtes në ‘Opinion’ ku ka bërë vetëm muhabet parash. Ai ka treguar sot koston e premtimeve të tij për uljen e taksave dhe ndihmën që premton të japë për disa kategori nëse vjen në qeveri. Basha u shpreh se kosto totale është 500 milionë Euro.

E gjithë retorika e Bashës është e mbushur me miliona. “Kosto totale e uljes së taksave dhe investimeve shkon 500 milionë Euro”, tha Basha. Më tej numri një i opozitës tregoi se ku do të gjenden këto para, që të mos shkohet tek marrja e borxheve. “Nëse normalizojmë tenderat ne arrijnë që tu kthejmë shqiptarëve 250 milionë deri në 300 milionë Euro. Tjetra, luksi i qeveritarëve për zyra e makina, këto u kushtojnë shqiptarëve 80 deri në 100 milionë Euro. Duhet që t’i thërrisni kujtesës kur u vu taksa 1%, të ardhurat e shtetit u rritën mbi 100 milionë Euro, kjo rritje vijoi vit pas viti.

Arka e shtetit mori 1.8 miliard Euro më shumë, sot bëjnë bilance të dyfishta, e dyta se është taksë e lartë dhe e dyta që nuk u kthejnë investimet. Taksa e sheshtë lufton evazionin, kjo nuk është teori,është e provuar. E treta dua të them që është një ekonomi e gjallë, është një taksë që stimulon shoqërinë”, shpjegoi Basha.