Nga Frrok Çupi
Tani Francesco po e turbullon vendin tonë edhe me mosqenien e tij. Kur hyri këtu e kishte menduar ndryshe…
Në vitin 1992 vjeshta erdhi më e herët, të ftohtët e Tiranës të hynte në palcë që në Nëntor. Hotel Dajti, ku u vendos Franncesco Beccheti bashkë me të ëmën, Liljana, ishte i shkatërruar, pa ujë, pa drita, edhe pa dritare… Presidenti Berisha urdhëroi ministrin e Jashtëm, Alfred Sereqi, dhe ministri e mori italianin nga Dajti e dërgoi në vilën 31 që kishte qenë vila e Enver Hoxhës.
“Natën më doli Enver Hoxha e më dha tre porosi”- tregonte shumë shpesh Becchetti, në biseda me këdo.
“Porosia e parë: ‘Ndriçoje Shqipërinë siç e ndriçova unë!’ më porositi Enveri. “Porosia e dytë: “Ti duhet të bëhesh me gjak shqiptar”, më tha.
-Porosinë e tretë nuk e tregoj!- thoshte shpesh Francesco në bisedat e tavolinave me verë ose edhe në yahte në mes të detit…
Porosinë e ‘gjakut’, Becchetti e realizoi duke u martuar me një vajzë shqiptare, bijë e një shitëseje në rrugën e Durrësit, me të cilin ka tre fëmijë. Njohja ndodhi në një panair mbi Energjinë në Pallatin e Kongreseve. Kishte ftuar shumë vajza, si belina, dhe ai vuri gishtin “këtë dua’.
Porosinë e ndriçimit të Shqipërisë, Becchetti e realizoi me hidrocentralin e Kalivaçit mbi Vjosë, që nuk u ndërtua kurrë. Hidrocentrali u shit sa te Enel, te Dautsche Bank e gjetkë, por u bënë vetëm disa gërmime, asgjë. Edhe një urë që kërkoi fshati si kompensim për ndërhyrjet ‘e dhunshme’, u ndërtua në mbrëmje dhe në mëngjes e kishte marrë përroi. Kontrata e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit ishte tre vjet, por u bënë 17 vjet e asgjë. Parlamenti shqiptar hartoi një ligj të veçantë që u quajt ‘Kalivaçi- Becchetti’ sipas të cilit Becchetti mund të transportonte çfarë të donte: Hekur, çimento, drogë, qen, mace…, por as kontrollohej e as paguante taksë doganore. Në këtë mënyrë kaluan doganën edhe pajisjet e televizionit ‘Agon’.
Porosinë e tretë të Enver Hoxhës nuk e tregoi kurrë.
…Sapo bëhej gati të hidhej në pishinën e vilës luksoze në Saint- Tropèz, (verë 2112), e prekëm prapë fantazmën e këndshme të tre porosive.
-Cila është e treta, Franko?- e cyta prapë.- A mos vallë Enveri të tha se ti do të vihesh në fronin e tij?!
Ai qeshi, bëri kokën me shenjën ‘ah, ça je ti!…’, dhe u hodh në pishinë!.
Më shumë se kurrë Beccheti- një mendje djallëzore në perfeksion- po e trazon dhe po e sundon njeriun këtu sot kur nuk ndodhet më këtu. Edhe pse i izoluar diku në Evropë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, edhe pse ‘zio’ dhe frymëzim i tij Manilo Cerroni (i mbiquajtur mbret i plehrave të Lacios dhe aksioner për plehrat në Shqipëri) është në arrest që nga viti 2014…
Po si sundon Becchetti, edhe pse nuk është?
Sundon lajmi, jo Becchetti. ‘Italiani i Agonit’ mund të quhet edhe shpikësi i parë i lajmit të rremë. Lajmi nuk ka mbret, ‘mbretër’ kanë mbetjet urbane ose edhe manipulimet financiare…, por po të ishte Becchetti në krye të lajmit, bota do të ishte ngopur shpejt me lajmin ‘false’.
Shiko çfarë ndodhi me ‘lajmin’ e fundit:
Vetë Zëri i Amerikës u vu në lëvizje dhe tha se “Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015”. Lajmi është lëshuar nga radio në datë 2 prill 2021. Por lajmi është bosh; ngjarja nuk ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur me çështjen, ka ndodhur në vitin 2019, asgjë më shumë. Por që atëherë po zhvillohen disa procedura ligjore që nuk janë në favor të italianit. Becchetti kur ndjehet më keq shpik lajmet më të mira për vete; dhe i lëshon aty ku e di se ‘pinë ujë’. Vetë Zëri i Amerikës, me gjithë zellin, nuk mundi të manipulojë dhe të thotë se ‘sot ndodhi’. Jo! Elez Biberaj- një shqiptar sado inatçi në Uashington, veçse e nxori lajmin e vjetër nga arkiva…, dhe budallenjtë ‘e hëngrën’. Biberaj dhe Becchetti e dinë se si, me një lajm, shkaktohen trazira në fushata elektorale.
Becchetti ka lënë edhe një tufë gazetarësh ‘personalë’ në Tiranë që udhëzohen si të përhapin lajmet rreth tij. Sonila, Andi, Mimoza, Krasta…, rrinë gati kur lëshon një lajm Becchetti. Ata ishin pajtuar me paga deri 250 mijë euro në vit, por disa muaj nuk i morën dhe tani presin me sy andej. Kësaj here e mori iniciativën vetë Zëri i Amerikës me zotin Biberaj dhe korrespondenten e Tiranës, Moza Picari…
Becchetti e shpik lajmin edhe kur nuk është në zor; e jo më sot. Pse vallë krijoji televizion e nuk krijoji asgjë tjetër, edhe pse të kontraktuar në Shqipëri?!…
E di si e shpik lajmin Becchetti?!
T’u tregoj një ngjarje: Gazeta Agon, e financuar prej Becchettit, dilte çdo ditë që nga 2006 deri në qershor 2013; herë 10 e herë 50 mijë kopje në ditë. Një mbrëmje dimri Becchetti më telefonon e më thotë se ‘do të vij vetë në shtypshkronjë’. Pas mesnate; hangari i stërmadh i printimit të hante si një krokodil akulli. Erdhi dhe tha se ‘do të ndryshojmë faqen e parë’. Kishte porositur një paparac që të fotografonte Shpëtimin. Miku dhe bashkëpunëtori më i afërt i tij, ishte fotografuar në një kafe me një kolege. Fotografia u bë me ‘pushtllëk’, në një kënd kur dukej sikur Shpëtimi dhe ajo femra ishin mbështetur faqe më faqe. E vuri foton e madhe në faqen e parë dhe gazeta u printua. Një kopje të gazetës urdhëroi bodyguardët që ta fusnin nën derë në shtëpinë e Shpëtimit ku prisnin gruaja dhe fëmijët…
‘Fotografia’ e gjyqeve mbi Agon janë të vitit 2014 dhe 2019; tani jemi në 2021. Edhe kjo një manipulim si me foton e Shpëtimit. Çudia jonë: Nëse në dyqan gjen një mall me afat të skaduar, askush nuk e prek; ndërsa lajmin e manipuluar e hanë pa e shikuar etiketën e skadencës. Lajmi i skaduar që po përdoret edhe nga tribunat politike opozitare është ‘i gëzueshëm’: ‘Shqipëria do t’i paguajë Becchettit 110 milion euro!’. Shikoj rrethe rrotull plot njerëz që nuk mendohen dy herë: “Më mirë ta hajë lopa se këta të popullit”, si në një film shqiptar të realizmit. Këta i sundon çdo lloj Becchetti, edhe kur nuk është.