Beteja e goleadorëve këtë sezon është mjaft interesante, por asnjë nuk mund të krahasohet me Robert Lewandowski. Polaku i Bayern Munich e ka gjetur rrugën e rrjetës 35 herë, ndërkohë që ka dhënë edhe gjashtë asiste.

Sulmuesi është lojtari me më shumë kontribute në gola, në “top5” kampionatet më të forta në Europë. Ai ka kontribuar në 41 gola, ndërkohë që pas tij është Leo Messi. Argjentinasi ka shënuar 23 herë dhe ka dhënë 10 asiste, duke qenë kështu protagonist në 33 gola.

Në podium është edhe Harry Kane. Anglezi ka tundur 19 herë rrjetën me fanellën e Tottenham në Premier League, por spikat me numrin e lartë të asisteve: 13. Sezon super edhe për Andre Silva, sulmuesin e Eintracht Frankfurt.

Portugezi ka marrë pjesë në 27 gola, sikurse edhe Romelu Lukaku, por ka shënuar dy më shumë se belgu i Interit. Cristiano Ronaldo renditet në vendin e gjashtë, më të njëjtin kontribut sa Haaland, Mbappe dhe Bruno Fernades, por me numër më të lartë golash. Dhjetëshja më produktive mbyllet me Luis Muriel.