Për qeverinë, kriza në aeroport është një ngjarje që nuk do të falet. Disa prej punonjësve mund të humbin vendet e tyre të punës, ndërsa dy prej kontrollorëve po ndiqen penalisht. Për zv/ministrin e Infrastrukturës, Etjen Xhafaj e gjithë kjo situatë ka sjellë cenim të sigurisë kombëtare. Sipas tij, për këtë vepër, ligji parashikon disa vite burgim.
“Në dijeninë time kodi parashikon që për këtë vepër penale, pra të cenimit të sigurisë kombëtare prashikohet deri në 3 vite burgu, por këtë do të vendosë gjykata”, u shpreh zv/ministri në emisionin “E-ZONE” në “Vizion Plus”. Qeveria e quajti kaosin në aeroportin e Rinasit një grusht shteti, pas të cilit, sipas saj, ishin të fshehur presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Pas më shumë se 24 orësh bllokim, situata u zgjidh duke marrë kontrollorë turq e grekë, ndërsa një pjesë e kontrollorëve shqiptarë ju përgjigjën apelit të qeverisë për t’u rikthyer në detyrë sa nuk është vonë.