Në bashkinë e Tiranës kemi 19 042 vota më shumë se zgjedhjet e 2017-ës që është një votë rekord sa i përket votës së Partisë Socialiste. Kështu deklaroi sot kryetari i PS-së për Tiranën, Ervin Bushati, në një prononcim për mediet.
“Ne kemi më shumë se dy vite që ristrukturojmë strukturat tona në 930 qendra votimi që ka Tirana, 930 organizata socialiste. Merita u shkon atyre patjetër, pas atij që mund të quhet konsum politik, pas tërmetit, pandemisë, pas gjithë këtyre krizave që kemi pasur, nën presion edhe nga opozita me protesta shpesh herë edhe të dhunshme”, – theksoi Bushati.
Bushati u shpreh se “janë 19 mijë anëtarë, të cilët kanë sjellë edhe një votë më shumë e kanë bërë të mundur që ne të kemi një nivel rekord edhe të rrisim votat, edhe pse jemi në mandatin e tretë, që mund të mendohej se do të kishte një rënie. Tirana është bashkia që ka sjellë më shumë rritje në të gjithë Shqipërinë”.
Duke falënderuar çdo anëtar socialist për këtë rritje rekord, Bushati tha se “kjo nuk do të ishte e mundur pa kontributin e tyre të flaktë në këtë betejë që shkoi shumë e qetë, shumë e mbarë dhe arriti që t’i sigurojë PS 74 mandate, njësoj si në 2017-ën”.
Më tej Bushati foli për ndryshimet e ndodhura në Tiranë dhe projektet që do të vijojnë në kryeqytet.
“Ndryshimi që sot është i prekshëm, i zbatueshëm dhe real në qendër të Tiranës të fillojë e të kapilarizohet në të gjitha njësitë e kryeqytetit”, – tha Bushati.