Interin e pret një ndeshje shumë e vështirë nesër në mbrëmje. Ekipi që po dominon Serie A do të përballet në “Diego Armando Maradona” kundër Napolit, që kërkon pikë për objektivin Champions League.
Trajneri Antonio Conte flet për mediat rreth vështirësisë së kësaj përballje, teksa zbulon edhe një prapaskenë merkato në lidhje me Kalidou Koulibaly. “Nesër pres një ndeshje plot impenjim dhe të vështirë.
Napoli e ka kualitetin për të garuar për vendet e para, pastaj kanë edhe një trajner të mirë si Gattuso. Ata kanë një nga kontingjentet më të rëndësishme në Serie A, në fillim të sezonit i cilësoja rival për titull.
U them djemve të mi që të përgatiten për të vuajtur ndaj Napolit, edhe pse ne do të shkojmë atje për fitore. Kritikat? E di që jam unë problemi, rëndësi ka që të mos më prekin Interin.
Dueli Lukaku-Koulibaly? Po flasim për një nga tre mbrojtësit më të fortë në botë. Kur isha trajneri i Chelsea tentova ta transferoj në Londër. Lukaku është rritur shumë, por ai duhet të luajë gjithmonë për skuadrën“, deklaroi trajneri i Interit.