Nga Alfred Peza/
Nëse gjithkush ka akuzuar Ilir Metën dhe Sali Berishën, se fshihen pas asaj çfarë ndodhi për bllokimin me 24 orë të fluturimeve ajrore në territorin e Shqipërisë, dikush duhet të informojë edhe kandidatin e tyre për Kryeministër. Sepse, nga të gjitha prononcimet e bëra nga liderët kryesorë politikë në vend, vetëm Lulzim Basha u kuptua se nuk kishte asnjë informacion, për veprimet e kontrollorëve të “AlbControll”. U pa kjo jo vetëm nga reagimi me vonesë i Lulzim Bashës ditën e parë, por mbi të gjitha, nga deklarata e tij totalisht jashtë kontekstit: “I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë… Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në Aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama”.

Kaq mjafton për të kuptuar se Lulzim Basha si lideri “de jure” i opozitës, as nuk e ka ditur se çfarë po ndodhte publikisht, e as se çfarë po kurdisej nën rrogoz nga liderët “de facto” të saj. Është e qartë se ai bën vetëm shfaqjen formale, ndërsa skenaret e asaj që ndodh në realitet, i realizojnë nën rrogoz Sali Berisha dhe Ilir Meta. Presidenti I Republikës kishte disa ditë që merej me takime zyrtare dhe jo zyrtare me kontrollorët e Rinasit. Sali Berisha nuk ka pushuar asnjë minutë se nxituri dhe frymëzuari punonjësit e AlbControll-it përmes qytetarit të tij dixhital. I vetmi që nuk i kishte ditur këto, ishte Lulzim Basha. E ndërsa farsa vihej në skenë, i vetmi që nuk i bënte thirrje kontrollorëve por Edi Ramës për “ta ndërprerë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve” ishte Lulzim Basha. “Pas grevës në Aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë, qëndron vetë Rama”,- shkroi ai në rrjetet sociale. Këto fjalë, janë edhe prova më ulëritëse e mjerimit të një lideri politik, që nuk kupton asgjë nga ajo që ndodh.

Lulzim Basha nuk kupton diçka që e kuptonte edhe bufi, për shkak të përdorimit dy herë me radhë të fjalës “grevë”, për atë që po konsumohej nga ana e kontrollorëve në Rinas. Nëse do ta dinte lojën që po luante Ilir Meta dhe Sali Berisha, Lulzim Basha do përdorte çdo fjalë tjetër, por jo “grevë”. Kontrollorët punojnë në një institucion të rëndësisë së veçantë, që ka lidhje direkte me sigurinë tonë kombëtare, ndaj e kanë të ndaluar me ligj që të bëjnë grevë. Nëse ata do të deklaronin vetë se ajo që po bëjnë është grevë, atëherë sot të gjithë do të ishin në burg për tradhëti kombëtare.

Vetë kontrollorët, avokati i tyre dhe Sali Berisha e Ilir Meta, e kanë evituar përdorimin fjalës “grevë”. Ndaj shpikën lloj lloj termash të tjerë, si “stresi”, “paaftësi e përkohëshme në punë”, etj. vetëm e vetëm që të mos e pohonin se ajo që po bënin ishte një shkelje flagarante e ligjit. Përndryshe, ata do të bënin një autogol spektakolar, pasi do pranonin me gojën e tyre fajësinë. Pas kësaj Lulzim Basha heshti, derisa tha një fjalë në takimin elektoral në Lushnje. Më pas bëri një postim në facebook-un e tij, ku pas frazave të përgjithëshme tha se “ajo që ndodh në aeroportin e Rinasit është dështimi i radhës i një njeriu që ka vendosur interesat e tij, mbi interesat e çdo shqiptari”.

Të lejosh funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit, për Lulzim Bashën qenka kundër interesave të shqiptarëve. Ndërsa të pengosh lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave dhe ardhjen e vaksinave kundër covid-19, qenka në interesin personal të Edi Ramës dhe jo të qytetarëve! Por nuk ka asnjë problem. Lëreni Lulzim Bashën edhe dy javë në gjumin e tij, derisa të zgjohet më 26 prill në mëngjes, kur të kuptojë se ajo që po shihte nuk ishte gjë tjetër veçse ëndrra e tij me Kryeministër!