Nga Mustafa Nano

Unë nuk e di se si do dalin zgjedhjet. Rezultatet e disa sondazheve të kryera japin një lloj ideje, por përvoja të ndryshme thonë se sondazhet edhe gabojnë, ndonjëherë edhe trashë. Ka një tregues, megjithatë, që flet në favor të fitores së PS-së. Është nervozizmi në krahun tjetër. Nuk janë nervozë vetëm eksponentët kryesorë, por edhe gazetarët e kampit të tyre, kandidatët për deputetë (edhe ata më të shtruarit), votuesit.

Nuk ka ditë që të mos e demonstrojnë këtë nervozizëm. Ngjarja e para disa ditëve në Kavajë ishte një ilustrim i mirë i kësaj që thashë. Ende pa u marrë vesh se çfarë ndodhi, Grida Duma, që është një nga personazhet me retorikën më të kalibruar, u ngut ta thoshte të vetën. “Është krim politik”, tha ajo.

E pasuan të tjerët. Ndërsa Ilir Meta e Lulzim Basha e mbajtën frymën në vendngjarje. Kjo ishte hera e dytë që Lulzim Basha ndoqi lojën politike të Metës. Hera e parë ishte te zyrat e FRD-së.

Dhe e bën këtë nga frika se Meta, me agresivitetin e tij, mund ta nxjerrë si figurë të dytë në botën e opozitës. Ky është një rast tjetër që e evidenton Bashën si leader pa këllqe. Vizita në Elbasan ishte po aq budallaqe sa ajo te zyrat e FRD-së.

Lëri të tjerat, por ishin vizita të bëra disa orë pas ngjarjes, kur ishte marrë vesh nga të gjithë si ishte e vërteta. E sikur të mos mjaftojë kjo, Basha, edhe sikur sot ta pyesësh mbi atë ngjarje, do të recitojë versionin që recitoi atë ditë, s’ka gjë se edhe njerëz të tij në Kavajë e kanë përgënjeshtruar qartazi e publikisht atë version.

Më e rënda ndodhi sot. E duhet thënë se reagimi ndaj krimit ishte edhe më i rëndë se vetë krimi. Presidenti i republikës gjeti rast t’i bënte apel policisë e prokurorisë për të bërë ashtu si duhet detyrën!!! Dhe nuk tha asgjë tjetër. Nuk i shkau goja ta dënonte krimin. Kandidati i PD-së në Elbasan, Bardhi kishte gjetur alibinë. “Socialistët kishin ushqime, pará e fletë votimi në makinën e tyre”, tha ai.

Dhe nuk foli për krimin. Nuk u distancua prej tij. Nuk e dënoi aktin. Lulzim Basha, të paktën deri në orën 20.10, nuk u bë gjallë. Socialistët e dënuan brenda pak sekondash krimin e Kavajës, sidoqë nuk kishin të bënin me të, ndërsa demokratët, edhe pse dihet që vrasësi është i tyre, edhe pse dihet që vrasja ishte për motive politike, flasin me përtesë për të.

Dhe kur flasin, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të flasin për socialistët. Pati edhe nja dy kolegë të mijtë, të cilëve mendja u shkoi veç te dënimi postum i viktimës, duke përcjellë mesazhin se ai e pati hak vdekjen. Me shumë gjasë është i vërtetë pretendimi mbi biografinë e viktimës, por ky është një diskutim që pret. Në këtë rast vëmendja duhet drejtuar te krimi e te krimineli. Duhet me qenë i rrjedhur që një minutë pas ngjarjes të të shkojë mendja të kriminalizosh viktimën.

Pse është ky nervozizëm? Për mua, situata është e qartë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme. Ndoshta më të rëndësishmet e dy dekadave të fundit. Më shumë se sa për ne, janë për ata që kanë dominuar skenën politike në 30 vitet e fundit. Edi Rama, nëse humbet, largohet nga drejtimi i PS-së. E ka thënë qartazi këtë gjë. Të tjerëve nuk ua nxë goja këtë “premtim”.

Por fati i tyre dihet, sidoqoftë. Ilir Meta, nëse humbet, katandiset keq. Një mandat i tretë për LSI-në në opozitë është baraz me tharjen e saj. Votuesit e LSI-së do bëjnë mundimin e fundit elektoral në favor të asaj partie. Lulzim Basha, nëse humbet, do duhej të largohej.

Në mos, do ta largojnë demokratët, ose edhe Berisha. Por sidoqë të shkojë, PD-ja do dobësohet, e tok me të edhe Berisha vetë, që i dobësuar është edhe pa këtë humbje. Dhe janë këta (Berisha, Meta, Basha) që janë nervozë.

Siç shihet, këto zgjedhje nuk janë shaka. Ka shumë at stake: Një pjesë e establishmentit merr një goditje për vdekje. Dhe është kjo perspektivë që i bën nervozë Berishën, Metën, Bashën. Pse vetëm këta? Sepse, me sa duket, këta e dinë që do humbasin. Për mua, përsëris, nervozizmi i tyre është sinjali më i qartë i asaj që do ndodhë më 25 prill.