Ditën e sotme ka ndërruar jetë në moshën 76 vjeçare Haxhi Fejzi Zaganjori. Prej vitesh ai shërbeu si Imam në xhaminë e lagjes Rus. Lajmin e kanë bërë të ditur miq dhe të njohur të tyre, përmes postimeve në rrjetet sociale.
Mes tyre ka shprehur ngushëllimet edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. “Shkodra humbi sot një vlerë të qytetit. Haxhi Fejzi Zaganjori ndërroi jetë duke lënë dhimbje e pikëllim tek familja, të afërmit, miqtë e shokët që e njohën nga afër por edhe prej larg.
Një zotni Shkodre, një klerik që rrezatonte paqe, mirësi dhe këshilla të vlefshme, nga sot do na mungojë të gjithëve. Unë dua ta kujtoj gjithmonë me një këshillë që ma përsëriste shpesh: “I madhi Zot të ndihmoftë, mos len derë pa kersitë për të drejtën”. Qofsh banor i xhenetit! Pushofsh në paqe Haxhi Fejzi Zaganjori”,- shkruan Voltana Ademi.
Gazetarja Brunilda Dibra ka bërë një shkrim prekës për imamin e njohur në Shkodër.
Postimi i plotë: Hazhi Fejzi Zaganjori ishte mëshirimi i shërbyesit të besimit. Babaxhan, tolerant, jo imponues dhe modern që me ne gazetarët pinte çaj në një lokal të zakonshëm pa patur frikë se do të paragjykohej nga ata që baret i quanin haram.
Ai sa herë shkoja në festa në myfti më puthte në dy faqet me një dashamirëri e ngrohtësi atërore, teksa të tjerët ndoshta mendoheshin dy herë të më preknin dorën, sepse isha e gjinisë tjetër dhe komplekset që kishin në kokë ua ndalonin.
Do i mungojë komunitetit mysliman por edhe mbarë shkodranëve një qytetar i mirë, që rrezatonte mirësi dhe që ishte i njëjtë me katolikun, ateistin, myslimanin, fëmininë, gruan plakun dhe të riun që takonte. I lehtë dheu Haxhi Fejzi Zaganjori! Qofsh mirë me zotin që aq paqësisht e deshe, e adhurove dhe e lartësove mes nesh!