Kandidati për deputet i Partisë Socialiste dhe koordinatori i kësaj force politike për zonën e Kavajës i ftuar në “Real Story” ka komentuar ngjarjen e ditës së djeshme ku një person me precedent penal ka qëlluar me armë një aktivist të PD në zyrën elektorale të demokratëve në këtë qytet.
Xhafaj është shprehur se nuk e njeh agresorin dhe ai nuk është aktivist i PS, ndërkohë që ka shtuar se Basha është treguar “i rrëmbyer” për ta përshkallëzuar situatën.
“Ngjarja e ndodhur dje ishte e tmerrshme. Asnjë aktivist nuk duhet që të dëmtohet në fushatë. Ata janë kundërshtarët tanë, jo armiqtë tanë. PD u rreshtua lehtësisht sikur shtabi elektoral i PS është organizuar dhe ka bërë këtë veprim. Ne si PS jemi shprehur për durim dhe për t’u qetësuar. Basha erdhi rrëmbimthi.
Ai foli për komplot të kryeministrit. Këtë person e kam takuar, në një pjesë njerëzish të Bashkësisë Myslimane, por nuk e njoh nga afër. Dje isha për iftar për Gosë. Kur je kandidat për deputet, shkon për të folur me njerëzit, por nuk është aktivist i PS-së. PD do ta përdorë Kavajën për mish për top, ndërsa ne bëjmë thirrje për qetësi. Të shkojmë më 25 prill të shkojmë si shqiptarë”,- ka thënë Xhafaj për gazetarin Sokol Balla.