Ka katër kualifikuese të Kampionatit Europian U-21 me Zvicrën, ndaj FIFA nuk e lejon të ndryshojë kombëtare. Nedim Bajrami mbetet peng i burokracive, pa debutuar dot me kuqezinjtë. Madje, sipas gjasave, mund të mos luajë dot me Shqipërinë. Mesfushori i Empolit vendosi të lërë helvetët dhe të vijë në kombëtaren tonë, mori pasaportën kuqezi dhe priste leje-kalimin përkatës të FIFA-s. Kjo e fundit e bllokoi, me siguri pas ndonjë reklamimi të Zvicrës.

Sipas rregulloreve, ndryshimi i kombëtares miratohet vetëm nëse lojtari nuk ishte ende 21 vjeç, kur luajti ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare në një kompeticion zyrtar. Kjo është ajo që thotë në rregulloret e FIFA-s, në nenin 9, paragrafi b (iii). Bajrami nuk e plotëson këtë kusht, që të ndërrojë zviceranët për kuqezinjtë. Tashmë mbetet e dyshimtë nëse dera e ekipit kombëtar të Zvicrës do të hapet përsëri për të. Edhe pse ka luajtur një rol kryesor në rrugën për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian U-21.

“Ne u përpoqëm shumë për ta bindur Nedim Bajramin që të vazhdojë të luajë me Zvicrën. Më pas ai na tha se zemra e tij rreh më shumë për Shqipërinë, – nënvizoi trajneri i U-21, Mauro Lustrinelli, pas vendimit të 22-vjeçarit. – Për ne, identifikimi është një vlerë thelbësore për të luajtur me ekipet kombëtare të Zvicrës”.