Drejtuesi politik i qarkut Tiranë, për Partinë Socialiste, Erion Veliaj ka dalë në një deklaratë për fitores së PS në njësinë nr.10, ku ishte implementuar edhe votimi elektronik.
Veliaj: Kjo është skuadra jonë e mrekullueshme e njësisë 10. Falënderoj të gjithë ata që punuan fort, për fitoren tonë në njësinë 10. Falënderoj edhe Fatmir Xhafajn.
Dua të ndaj disa konkluzione. Ju ftoj të gjithë ju që numëruat në njësinë nr.10 dhe të gjithë ju që jeni duke numëruar, t’i shkojmë këtij procesi deri në fund. E ndaj bashkë me kolegët e opozitës mendimin që ne kishim zgjedhje të shkëlqyera dhe s’ka kohë për pushim. Dua të shpreh angazhimin e PS dhe Ramës që numëruesit tanë do të bëjnë maksimumin që do punojnë me orare të zgjatura dhe këtë do t’i kërkoja edhe palës tjetër sepse aq më shpejt ne do mund t’i kthehemi punëve për Shqipërinë tonë.
Për të gjithë ata që votuan masivisht që na dhanë fitoren në njësinë 10, ju falënderoj nga zemra që zgjodhët të na jepni një mandat të fortë. Për ata që nuk na votuan ju them se do ju shërbejmë me respekt dhe do jemi aty për çdo nevojë të komunitetit, pavarësisht bindjeve dhe votës suaj, se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë.
Mezi pres që nga mbyllja e kësaj fushate, për të pasur vota dhe mandatin do doja të fillonim një tjetër fushatë, vëllazërie, besimi, një fushatë me shqiptarë të tjerë që mendojnë ndryshe nga ne, por kanë të njëjtat ambicie dhe ëndrra për qytetin tonë.