Është goditur një rast i krimit zgjedhor në Pukë. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasi Vasil Shabani pasi nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tij tip Nisan u gjetën një shumë prej 528.000 Lekë (te rinj) dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit.

Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë Kryetari provizor i Subjektit Politik LSI për Bashkinë Pukë, shtetasi Demir Syla. Gjatë kontrollit të ushtruar ne ambientet e biznesit të drejtuesit të LSI-së, policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Vasil Shabani, lindur dhe banues në Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. shqiptarja.com/