Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për njoftimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me ndjekjen penale të veprave që lidhen me krimet zgjedhore.
“Më vjen shumë mirë që shoh njoftimin e SPAK për hetimet e krimeve elektorale. Unë e kuptoj që prokurorët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht. Askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Kim në Twitter.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se është duke ushtruar me përparësi ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, apo ndaj subjekteve të ndryshëm, që janë kompetencë hetimi të kësaj prokurorie.
SPAK njofton se për të gjitha rastet që janë në hetim, “garantojmë subjektet që kanë paraqitur kallëzimet, si dhe opinionin publik se, deri tani janë hetuar dhe në vijim do të vazhdojnë të hetohen me përparësi, me metoda proaktive, objektivitet dhe pa asnjë hezitim, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të fakteve të pretenduara dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të kundraligjshme që lidhen me veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje“.
Më tej SPAK bën thirrje që kushdo që ka të dhëna, fakte apo çdo gjë që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të fakteve të kallëzuara është i mirëpritur t’i paraqesë në Prokurorinë e Posaçme, duke i garantuar se do vlerësohen me seriozitetin e duhur dhe do i nënshtrohen hetimit të plotë