Himni i Flamurit, siç njihet ndryshe himni kombëtar, është shkruar në vitin 1908 si një poezi nga Asdreni, ndërsa sipas studiuesve besohet se u këndua për të parën herë nga kori i mërgatës shqiptare të Bukureshtit. Ai u njoh si himni kombëtar pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Për himnin kombëtar shqiptar, i cili si thuajse në asnjë rast tjetër në botë i kushtohet flamurit, është huazuar muzika e kompozitorit rumun Ciprian Porumbescu. Pikërisht për faktin sepse u mendua se ndikimi i huaj në himnin ekzistues mund të jetë një dobësi, janë regjistruar të paktën tre përpjekje ose konkurse për ndryshimin e himnit kombëtar (në 1922, 1937 dhe 1945), por këto përpjekje dështuan, transmeton lexo.com.al.
Si një “konkurrent” i Himnit Kombëtar, u shfaq në 1909 një himn tjetër që këndohej anembanë Shqipërisë, me vlerën e një himni kombëtar dhe që sot mbetet një këngë shumë e dashur patriotike: “Himni i alfabetit”, shkruar nga Parashqevi Qiriazi menjëherë pas Kongresit të Parë të Manastirit, në të cilin mori pjesë vetë Parashqevi Qiriazi./Lexo.com.al/e.c.