Para 2 sezonesh emri i tij u përfol shumë për t’u bërë drejtori sportiv i Milanit, por ai refuzoi ofertën e kuqezinjve për të vazhduar projektin që kishte nisur me Lazion, por tashmë një tjetër ofertë ka mbërritur në adresë të Igli Tares dhe ajo ka ardhur nga Bundesliga.
Eintracht Frankfurt pritet të bëjë ndryshime në verë jo vetëm në stol pasi trajneri Adi Hutter do të zëvendësojë Marco Rose te Borussia Monchengladbach por edhe në postet e tjera drejtuesve.
Frankfurt është në kërkim të një drejtori të ri sportiv dhe shikon te Tare njeriun ideal për t’ia besuar këtë post, kjo për shkak të eksperiencës së madhe që ish-sulmuesi i kombëtares ka fituar te Lazio por edhe për faktin se Tare e njeh mirë gjuhën gjermane pasi si futbollist ka luajtur në Bundesliga, ndërkohë që në Gjermani ka provuar të luajë me 5 skuadra të ndryshme.
Në sezonin 1994-1995 la Partizanin për të kaluar te Manheim ndërsa më pas u aktivizua Sudwest Ludwigshafen, Karlsruher, Fortuna Dusseldorf dhe Kaiserslautern me të cilët shënoi 4 gola në Bundesliga në periudhën 1999-2001.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e Tares, por Eintracht Frankfurt sezonin e ardhshëm me shumë gjasa do të luajë në grupet e Champions League dhe shqiptari mund të tundohet për t’u larguar nga Lazio për një aventurë te re në Gjermani.