“Gjykoj që sot është një moment deçiziv që kush është patriot, ka disa aftësi, cilësi, mundësi dhe e ndjen se mund të kontribuojë sadopak, ka përgjegjësinë të veprojë”.
Kështu shprehet së fundmi në një intervistë ish Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, sot kandidat i Partisë Socilaiste në Qarkun e Beratit, kur pyetet se përse iu bashkua politikës pas një karriere të gjatë ushtarake.
“E para, vlerësoj që këto tetë vite Shqipëria më në fund po duket që është futur në një rrugë të mbarë, të qartë, të sigurt. Po e vlerësoja dhe ndieja nder, vlerë, privilegj por edhe detyrim e përgjegjësi mundësinë dhe përpjekjen për të dhënë kontributin tim modest në këto kohë ndryshimesh dhe zhvillimesh kaq shpresëdhënëse”, thekson Kollçaku.
Sipas tij, zhvillimet e këtyre tetë viteve e nxorrën vëndin nga një gropë e zezë dhe e kanë sjellë në momentin e konsolidimit të themeleve të ndërtuara që godina e Shqipërisë të mos prishet dot më dhe të mos bjerë më asnjëherë.
Por çfarë i ofron ai politikës shqiptare?
“Unë kam qenë në detyra të larta dhe sensitive shtetërore, dhe e them me krenari e pa asnjë frikë për mungesë modestie, se kam qenë i pathyeshëm, i pakorruptueshëm dhe i pastër si qelibari në gjithë shërbimin dhe aktivitetin tim si funksionar publik i shtetit. Nuk dua ta fsheh që ky fakt është një nga elementët që më jep kurajon, vullnetin, forcën, dëshirën dhe besimin për të punuar dhe kontribuar në fushën e politikës”, thotë Kollçaku.
INTERVISTA PER LEXO.AL
1. Tashmë jeni prezantuar me banorët e Kuçovës si kandidat për deputet i Partisë Socialiste. Si është pritur kandidimi juaj në zonë dhe cilat janë pritshmëritë e njerëzve aty për partinë socialiste?
Për shkak të profesionit ushtarak unë kam punuar, shërbyer dhe jetuar rreth e qark gjithë vëndit, prandaj do të ndihesha i nderuar gjithkundë të ishte kandidimi. Megjithatë, kandidimi në vëndlindje ishte një privilegj dhe bekim, sepse për arsye të kuptueshme, shpirtërisht, moralisht dhe kulturalisht, jam këtu. Njerëzit dhe vëndi ku do të ma kuptonin më mirë gjuhën time, ku do të mi lexonin më mirë sytë e mi, ku do të më ndjenin më shumë edhe në distancë fizike, është vendlindja. Vendlindjes njeriu i ngelet borxh për gjithë jetën. Unë gjej veten tek ky komunitet, por i garantoj, dhe këtë në fakt e kam ndjerë dhe prekur gjithë këto ditë, se edhe ata gjejnë dhe do të gjejnë veten tek unë. Unë jo vetëm i njoh, por i përjetoj dhe i kuptoj shumë mirë gjendjen, hallet dhe kërkesat e qytetarëve të qarkut tim. Unë jam një prej tyre! Besoj se kjo i jep një përgjigje pyetjes se si është pritur kandidimi im në Kuçovë. Në konceptin tim, shërbimi dhe puna si deputet i Kuvendit, është e vështirë dhe sfiduese, si çdo funksion publik shtetëror, por këtu ka një specifikë shumë domethënëse: kjo është një detyrë ku zgjidhesh nga një komunitet, ndryshe nga të tjerat ku emërohesh nga një autoritet. Kjo e rrit në maksimum përgjegjësinë. Kështu e ndjej dhe përjetoj unë. Me këtë dua të them që ajo që realisht më shqetëson dhe do më shqetësoj, është sa i aftë dhe i zoti do të jem unë për të justifikuar dhe merituar vlerësimin, besimin, pritëshmëritë dhe mbështetjen e votuesëve të qarkut tim.
Realizimet e PS janë të mëdha dhe mund të them jetike për përparimin e mëtejshëm dhe të ardhmen e vëndit dhe patjetër edhe të qarkut të Beratit. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Pretendimet zhurmuese të opozitës për “zero punë” janë totalisht një marrëzi për të mos pranuar realitetin dhe veçanërisht për të mos demoralizuar dhe dëshpëruar votuesit e saj. Unë besoj tek arsyeja, qartësia dhe kthjelltësia e elektoratit të zonës. Edhe vlerësimet kritike të tyre, në konceptin tim, përbëjnë vlerë dhe forcë. Megjithatë, kërkesat e votuesëve të qarkut janë në rritje, sepse besimi dhe pritëshmëritë e tyre tek PS janë të mëdha. Qytetarët e këtij qarku presin që në mandatin e tretë ta shikojnë kryeqendrën e tyre si një qytet magjik dhe gjithë qarkun me një turizëm gjithvjetor të larmishëm, me një prodhim bujqësor të fuqishëm dhe ekstensiv, me një sistem të plotë të shërbimeve cilësore; një kryeqendër të rrjetit rrugor prioritar kombëtar, që do të thotë një nyje shumë të rëndësishme urbane me përdorim të shumfishtë: për tregëti, shërbime, transport, komunikim, industry, zhvillim teknologjishë dhe informacionit, investime të huaja, etj. PS e ka vullnetin, forcën dhe fuqinë për ta bërë këtë. Prandaj edhe unë i njohë dhe kam besim të plotë në intuitën, pjekurinë dhe menҫurinë e votuesëve të qarkut tim, për të dalluar ata që premtojnë sot dhe harrojnë nesër, nga ata që angazhohen, marrin përgjegjësi, punojnë dhe realizojnë.
Me këtë rast kam një mesazh edhe për të gjithë ata që ngurojnë, për ata që dyshojnë dhe për të gjithë ata që për një forcë tjetër politike mendojnë të votojnë. Unë ju bëj thirrje ta mirë mendojnë, ta rivlerësojnë dhe i uroj që të mos gabojnë. Megjithatë, në fund të ditës, të gjithë do të jenë detyrimi im. Ne jemi të gjithë një dhe duhet të jemi gjithmonë bashkë dhe të bashkëpunojmë për jetën tonë dhe për të ardhmen. Asnjëherë të ndarë. Të ndara janë vetëm mendimet, vlerësimet dhe gjykimet tona. Dhe kjo është normale. Pavarësisht bindjes dhe votës, unë i respektoj dhe vlerësoj të gjithë, dhe ju bëj thirrje për pjemarrje në votime. Në fund le të fitojë më i miri. Dhe këtë e dinë dhe e vendosin vetëm zgjedhësit tanë.
2. Ju vini nga një karrierë e pasur ushtarake, me misione brenda dhe jashtë vendit. Çfarë do të thotë për ju t’i shërbesh vendit tënd, pavarësisht vështirësive e sakrificës që detyra mund të kërkojë?
T’i shërbesh vendit tënd do të thotë gadishmëri e përhershme për sakrifica sublime, me bindje të plotë, në çdo rrethanë dhe situatë. Kjo do të thotë që standardi i çdo ushtaraku është çfarë, si dhe sa bëra dhe i shërbeva vëndit tim sot. Kjo presupozon edukimin me një ndjenjë absolute pastërtie, besnikërie dhe ndershmërie ndaj njerzëve dhe detyrimeve; përgatitjen me një ndjenjë të fortë të punës, të përgjegjësisë, të sakrificave, të përballimit të vështirësive, dhe të shërbimit me përulësi ndaj njerzëve, komuniteteve dhe vëndit, pa asnjë llojë përfitimi individual; të këmbënguljes deri në fund për të realizuar çdo angazhim dhe detyrë me çdo kusht. Në fakt njerëzit me uniformë e kanë bërë këtë vazhdimisht. Forca ushtarake e këtij vëndi ka qenë e kudondodhur për nevojat e brëndëshme në situata të vështira dhe dinjitoze në përmbushjen e angazhimeve dhe detyrimeve euro-atlantike të vëndit duke luajtur një rol diplomatik të pazëvëndësueshëm në politikën e jashtme.
Për këto dhe shumë arsye të tjera, unë e ndjej detyrim të veçantë moral, shpirtëror dhe natyrisht edhe profesional, që një nga prioritetet dhe fokuset e mija të jetë komuniteti i mbrojtjes dhe sigurisë së vëndit. Në këtë komunitet kanë shërbyer dhe shërbejnë një armatë mjaftë e madhe njerëzish të heshtur, të devotshëm, të përkushtuar deri në sakrifica, që pak ose aspak duken, shfaqen dhe njihen publikisht, që meritojnë të kenë një zë të fortë në institucionet e këtij vëndi. Vetë sektori i sigurisë dhe mbrojtjes dhe çështjet e tij kanë nevojë të jenë më të njohura dhe të konsideruara nga publiku dhe shoqëria jonë.
3. Si ish shef i shtabit të forcave të armatosura të Shqipërisë, si e keni parë ju në gjithë këto vite, qasjen e qeverisë shqiptare në drejtim të politikave të sigurisë e mbrojtjes si një vend anëtar i NATO-s ?
Këtu dëshiroj të bëj një sqarim. Në kohët tona siguria dhe mbrojtja janë bërë jo vetëm një koncept shumë i gjerë teorik, por edhe një realitet praktike gjithpërfshirës. Tani do flas si ushtarak, por nga pozitat e qytetarit të zakonshëm, jo të kandidatit. Pandemia e pazakontë dhe termetet shkatërruese janë të dyja çështje të sigurisë. Të dyja janë beteja të vërteta. E para e nivelit strategjik dhe e dyta e nivelit operativ, por të dyja me efekte, pasoja, qëllime dhe objektiva strategjike jetike kombëtare. Unë kam qenë aktor pjesmarrës i drejtpërdrejtë aktiv dhe me përgjegjësi institucionale në këto situata, prandaj i njohë shumë mirë sfidat dhe vështirësitë e planizimit, drejtimit dhe menaxhimit për fitoren e kësaj lufte. Një qasje e tillë është pikërisht në përputhje më me politikat e Aleancës sikurse shprehet edhe në Raportin Vjetor 2020 të Sekretarit të NATOs për pandeminë, për shembull. Pra, bazuar në situatën si po zhvillohet kjo luftë, unë do ti jepja Kryeministrit dhe Qeverisë notën 10.
Tani të vijmë tek siguria dhe mbrojtja sipas konceptit klasik. Sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes këto tetë vjet e kam parë në një transformim dhe zhvillim sipas një platforme me synimin për konsolidimin e një sistemi të integruar të sigurisë dhe mbrojtjes. Këtë e konsideroj si politikën më smart për një vend të vogël me resurse të kufizuara. Sektori i sigurisë dhe mbrojtjes angazhon burime të mëdha njerëzore, finananciare dhe infrastrukturore te vëndit. Për këtë arsye, unë jam dëshmitar i politikës së qeverisë së përdorimit kosto për efektivitet të këtyre burimeve, me qëllim uljen e barrës së taksapaguesve, që është materializuar dhe konkretizuar nëpërmjet bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë së vëndit në përdorimin e resurseve njerëzore, investimit të projekteve madhore me qëllim të dyfishtë ushtarako-civil, etj. Një shëmbull është Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare. Gjithashtu, sektori i sigurisë dhe mbrojtjes në këto dy mandate ka përjetuar një rritje të dukshme të vëmëndjes së qeverisë nëpërmjet plotësimit dhe përmirësimit të paketës ligjore përkatëse, motivimit financiar, arsimor, modernizimit, etj, pikërisht me synimin për të arritur standartet e Aleancës apo kërkesat e BE. Kjo politikë ka rritur besimin dhe vlerësimet e NATOs për vëndin dhe Forcat e Armatosura. Një shprehje konkrete e rritjes së këtij niveli të besueshmërisë së Aleancës është investimi në Bazën Ajrore të Kuçovës. Unë e lexoj këtë investim si një investim dhe deklaratë publike të NATOs dhe aleatëve tanë strategjik për besueshmërinë dhe sigurinë që ndjejnë dhe që ju jep Shqipëria, me politikat e saj të sigurisë dhe mbrojtjes, jo vetëm dhe thjeshtë brenda territorit dhe vëndit tonë, por për rolin dhe përkushtimin e saj në sigurinë rajonale e më gjerë. Nga ana tjetër, e gjej me vënd të theksoj që kjo bazë ushtarake është një bekim me rreze shumë të gjatë dhe spektër të gjerë veprimi për Shqipërinë, por veçanërisht për Kuçovën.
4. Përse zgjodhët në këtë moment të bënit këtë kalim në politikë? Çfarë prisni ju nga politika dhe çfarë do t’i japë politikës një personalitet si ju?
Unë kam shërbyer dhe punuar për një kohë të gjatë në forcën ushtarake të vëndit. Një shërbim me shumë intensitet, përgjegjësi dhe sakrifica, por padyshim shumë i nderuar dhe fisnik. Pas përfundimit të manadatit të SHSHP në një moshë akoma shumë dinamike dhe produktive, sigurisht që po vlerësoja dhe konsideroja alternativa të mundshme angazhimi. Çlirimi nga kufizimet e detyrave ushtarake më nxiti për këtë angazhim në politikë. Në këto kushte, ky angazhim politik në këtë moment në këto zgjedhje ishte një produkt i disa faktorëve.
E para, vlerësoj që këto tetë vite Shqipëria më në fund po duket që është futur në një rrugë të mbarë, të qartë, të sigurt. Mes shumë zhurmave, zhurmuesve dhe përplasjeve, po di si të eci dhe ku të shkojë. Kjo është nxitëse, frymëzuese, optimiste dhe inkurajuese. Po e vlerësoja dhe ndjeja nder, vlerë, privilegj por edhe detyrim e përgjegjësi mundësinë dhe përpjekjen për të dhënë kontributin tim modest në këto kohë ndryshimesh dhe zhvillimesh kaq shpresëdhënëse.
E dyta, e kam bindje që zhvillimet e këtyre tetë viteve e nxorrën vëndin nga një gropë e zezë dhe e kanë sjellë në momentin e konsolidimit të themeleve të ndërtuara që godina e Shqipërisë të mos prishet dotë më dhe të mos bjerë më asnjëherë. Gjykoj që është një moment deçiziv që kush është patriot, ka disa aftësi, cilësi, mundësi dhe e ndjen se mund të kontribuojë sadopak, ka përgjegjësinë të veprojë.
E treta, si shumica e shqiptarëve sot, kam parë, punuar dhe jetuar edhe jashtë në disa vënde. Sigurisht që njeriu mediton dhe reflekton kur shikon dhe përjeton eksperienca dhe realitete të ndryshme. Besoj se gjithkush dhe gjithmonë kur shikon realitete më të mira thotë: pse mos ta bëjmë edhe ne kështu? Dhe realitetin e ndryshon politika. Politika e mirë ka fuqinë t’i ndryshojë dhe përmirësoj kushtet jetësore. Për këtë arsye, çlirimi nga kufizimet e detyrave ushtarake më nxiti për këtë angazhim në politikë, sepse kam pikërisht pritëshmërinë që politika e drejtë do përmirësoj realitetin dhe jetën tonë.
E katërta, për t’ju përgjigjur pyetjes se çfarë do t’i jepja unë politikës, do t’i rikthehesha edhe njëherë asaj çka thashë në fillim: faktit që kam shërbyer dhe punuar për një kohë shumë të gjatë në sektorin ushtarak. Unë kam qenë në detyra të larta dhe sensitive shtetërore, dhe e them me krenari e pa asnjë frikë për mungesë modestie, se kam qenë i pathyeshëm, i pakorruptueshëm dhe i pastër si qelibari në gjithë shërbimin dhe aktivitetin tim si funksionar publik i shtetit. Nuk dua ta fsheh që ky fakt është një nga elementët që më jep kurajon, vullnetin, forcën, dëshirën dhe besimin për të punuar dhe kontribuar në fushën e politikës. Në mënyrë të sintetizuar do të thosha që unë do të bëj maksimumin tim për ti dhënë politikës ndershmërinë, pastërtinë, profesionalizmin, idealizmin, shtetënjohjen, këmbënguljen, moralin, etikën, aksionin, përgjegjëshmërinë, bashkëpunimin dhe përkushtimin.
5. Çfarë patë te Partia Socialiste dhe lidershipi i saj që ju shtyu të kandidoni nën siglën e saj?
Në këto tetë vjet kam parë një forcë të vërtetë transformuese, shndërruese, ndërtuese. Kam parë një parti, një ekip dhe lidership të aksionit, veprimit, realitetit, jo të llafeve, fjalimeve te bukura, premtimeve utopike dhe jashtë çdo realiteti. Kam parë një trainer ekipi që është lider, menaxher, komandant, njeri. Kam parë një skuadër që punon, mëson, korigjon dhe përparon. Partia Socialiste dhe lidershipi i saj ka gjeneruar dhe gjeneron ide, i kthen në vizon, plane, programe dhe projekte konkrete dhe pastaj kalon në aksion, në veprime praktike, në terrenin real për ti materializuar dhe kthyer në një realitet. Kjo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Në terren dalin shumë pengesa e vështirësi, të parashikuara e të paparashikuara. Askush nuk mund të bëjë profetin dhe të gjithëditurin për t’i parashikuar, zgjidhur dhe realizuar gjithçka, sikurse e planifikon dhe dëshiron. Por fakti është që PS ka realizuar ndryshime dhe zhvillime të mëdha dhe jetike. Nuk do përpiqesha të bëja listim të këtyre realizimeve, se do shkonte shumë gjatë, por do filloja me kurorën: reforma në drejtësi, dixhitalizimi i shërbimeve, transformimi i qyteteve, infrastrukturë rrugore, përballja me tërmetin dhe pandeminë, spitale, shkolla, stadiume, porte, aeroporte të reja, projekti i 100 fshatrave, etj, etj.
Duke e mbyllur po i përmbledh të gjitha ato çka thashë: kandidoj nën siglën e Partisë Socialiste sepse më ka krijuar bindje dhe besim me ndryshimet e kryera e realizimet e arritura dhe më jep siguri për të ardhmen.