Një raport nga portali i specializuar “Transfermarket” siguron që tridenti Messi-Suárez-Neymar (MSN) është më “vdekjeprurësi” në futbollin botëror, deri më tani, në shekullin e 21-të. Midis sezonit 2014-15 dhe 2016-17, midis mbërritjes së Suárez dhe largimit të Neymar te PSG, kjo treshe shënoi 363 gola, duke zënë dy vendet e para në renditjen e përbërë nga 45 tridentët më të mirë.

Rekordi i MSN është nga sezoni 2015-16 me gjithsej 131 gola: 59 nga Luis Suárez, 41 nga Leo Messi dhe 31 nga Neymar. Në vitin e tij të parë, tridenti i Barçës shënoi 122 gola, këtë herë me Messin si lider, me 58 gola, i ndjekur nga Neymar me 39 gola dhe Luis Suárez me 25 gola. Fakt është që tridenti i Barçës luajti 113 ndeshje, sipas “Messistats”. Ata fituan 9 tituj: një Ligë të Kampionëve, një Botëror Klubesh, dy La Liga, një Superkupë UEFA, një Superkupë Spanjolle dhe tri Kupa të Mbretit.

Real Madridi zë vendin e tretë, por nuk ishte BBC-ja e famshme (Benzema, Bale dhe CR7). Fjala është për tridentin tjetër, të formuar nga Cristiano Ronaldo (60 gola), Karim Benzema (32 gola) dhe Gonzalo Higuaín (26 gola). Kjo treshe e bardhë shënoi 118 gola në sezonin 2011-12 dhe ishte thelbësore për ta fituar titullin e La Liga-s me José Mourinho në stol. Sezonin e kaluar, sipas këtij studimi, Bayerni me tridentin Robert Lewandowski (55 gola), Serge Gnabry (23 gola), Thomas Müller (14 gola) shënoi 92 gola.