Cristiano Ronaldo do të kthehet në Real Madrid apo do t’i bashkohet Paris Saint-Germainit, nëse largohet nga Juventusi këtë verë, sipas gazetës spanjolle AS. Juventusi është i gatshëm ta shesë Ronaldon për vetëm 25 milionë euro në verë, sepse kjo është shifra më e ulët me të cilën mund ta shesë atë dhe të mos humbasë.
Nëse bardhezinjtë dështojnë ta sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, atëherë largimi i sulmuesit portugez nga Torino është i sigurt. Çështja është gjetja e një klubi që është i gatshëm ta paguajë rrogën marramendëse të 36-vjeçarit.
Prandaj, sipas AS, Real Madridi dhe PSG-ja janë dy klubet e vetme që mund ta përballojnë Ronaldon financiarisht. PSG-ja do të ishte e gatshme t’ia ofronte Juventusit Mauro Icardin apo Moise Keane në një marrëveshje shkëmbimi për Ronaldon. Icardi është mundësi më e madhe, sepse përveç se e ka humbur vendin në skuadrën e Mauricio Pochettinos, ai ka qenë synim i kampionit italian për një kohë të gjatë.