Efektet e Covid-19 padyshim që ndikojnë edhe në buxhetet e klubeve. Mungesa totale e të ardhurave nga dita e ndeshjes (mungesa e tifozëve) ndikon në llogaritë e ekipeve, në zgjedhjet e bëra në merkato, edhe më gjerë. Juventusi gjithashtu fillon të marrë vendime “të rënda”.

Sipas asaj që raportohet nga “Corriere dello Sport”, klubi bardhezi i ka kërkuar ekipit që të pezullojë (shtyjë në kohë) pagat për katër muaj (mars, prill, maj dhe qershor), duke i shtyrë ato të paktën pjesërisht për vitin e ardhshëm financiar.

I njëjti veprim u bë vitin e kaluar, posa shpërtheu pandemia dhe pasiguria përfshiu edhe futbollin. Juventusi kishte qenë një nga të parët që ra dakord për këtë reduktim, me ndërmjetësimin e Chiellini dhe Buffon. Ky vendim kishte bërë që arkat e klubit të merrnin frymë, duke sjellë një efekt pozitiv prej 90 milionë eurosh. Sidoqoftë, në gjashtë muajt e fundit, bilanci regjistroi 113.7 milionë euro të tjera humbje, çka përbën një zile alarmi.

Klubi ka bërë pyetjen, tani do të jetë në dorën e lojtarëve që të vendosin nëse do të pranojnë apo jo. Efektet pozitive do të vlerësohen në rreth 80 milionë euro. Një “ilaç” për llogaritë, në një vit në të cilin bardhezinjtë u larguan para kohe nga Champions-i, duke humbur të ardhura të rëndësishme financiare.