Nga Adriatik Doçi
Rrethi i vjetër i Sali Berishës, të cilit Lulzim Basha i besoi drejtimin fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, fundosi edhe një herë Partinë Demokratike, duke e lënë në opozitë deri në vitin 2025. Disfatat më të rënda dhe të papritura, Partia Demokratike i ka pësuar pikërisht në ato qarqe të drejtuara nga njerëzit pranë Sali Berisha, nga i cili Lulzim Basha nuk arriti të ndahej as në këto zgjedhje, duke përsëritur të njëjtën sjellje si në 2015 dhe 2017. Teksa po numërohen gjysma e fletëve të votimit dhe fitorja e PS-së në këto zgjedhje është e qartë, Partia Demokratike po pëson një disfatë të thellë në Dibër.
Në këtë qark, Partia Socialiste udhëheq me rreth 46 % të votave, duke marrë për herë të parë 3 mandate. PD është rritur me 10 % krahasuar me vitin 2017. Drejtimin e fushatës në Dibër, Lulzim Basha ia besoi Xhelal Mziut, tre herë kryebashkiak i Kamzës, i cili bëri një deklaratë skandaloze dy ditë para datës së zgjedhjeve. Mziu, pjesë e rrethit të vjetër të Berishës, deklaroi gjatë fushatës së PD-ja do të merrte në Dibër 4 mandate. Për humbjen e mandatit të PD-së në Dibër, ka kontribuar edhe LSI-ja, e cila ka prekur fundin në këto zgjedhje, në të gjithë Shqipërinë. Nga 19 % në 2017, LSI ka rënë në 7 % në Dibër.
Lulzim Basha i besoi Tritan Shehut drejtimin e fushatës në Gjirokastër, ku PD-ja, nga numërimi i deritanishëm, PD-ja po humbet thellë. Tritan Shehu është një nga njerëzit më të besuar të Sali Berishës prej 30 vitesh. Kur Sali Berisha humbi zgjedhjet në korrik të vitit 1997 dhe la presidencën, në zyrën e kryetarit të PD-së gjeti Tritan Shehun, të cilit i kishte besuar partinë. Komisioni ‘Nishani’ e përjashtoi Tritan Shehun nga lista e kandidatëve për deputetë, por befas Basha e vendosi në krye të listës në Gjirokastër. Në këtë qark, nga numërimi i deritanishëm merr vetëm një mandat po aq sa në vitin 2017, ndërsa LSI po humbet një mandat. Fushatën në Durrës, Lulzim Basha ia besoi Edi Palokës, një humbës i përsëritur në PD, bashkëpunëtor i Berishës prej tre dekadash. Në Durrës, shpresa më e madhe e demokratëve në këto zgjedhje, PS po fiton me 52 % të votave, duke pësuar një rritje me 2 % krahasuar me zgjedhjet e 2017. Pas Dibrës, në Durrës Partia Demokratike po pëson humbjen më dramatike, me ndikim në humbjen e përgjithshme. Në Durrës, PD-ja thjeshtë po i merr dy mandate LSI-së.
Fier, Basha i besoi drejtimin e Fushatës ish-ministrit të Berishës, Enkelejd Alibeaj. Në këtë qark PD-ja ka rikuperuar vetëm një mandat, ndërsa një tjetër mandat po ia merr LSI, por sërish disfata është e thellë në raport me PS, e cila po merr 9 mandate. Në Vlorë, Lulzim Basha ia besoi drejtimin e fushatës ish-ministrit në qeverinë Berisha dhe ish-kreut të KLSH, Bujar Leskaj. Në këtë qark PD-ja thjeshtë po i merr një mandat LSI-së, krahasuar me zgjedhjet e 2017. Angazhimi i Metës në Vlorë, jo vetëm që nuk ka sjell rezultat, por ka sjellë humbjen një mandati për LSI-në.