Nga Eldon Gjikaj/
Në 25 prill Shqipëria voton. Ka dy alternativa: vazhdimësia e projektit politik të PS, shembëlltyra e së cilës, tash sa vjet, si vullnet aksioni dhe artikulimi qeverisës është modeli Rama; nga ana tjetër, rotacioni politik, duke i dhënë pushtet amalgamës PD-LSI.
Vazhdimësia nuk ka shumë vend për koment. Është një projekt i njohur, i shtrirë në kohë, me linearitet konceptual për t’u përmbushur. Rama po shfaq një prudencë të admirueshme në dialogun elektoral, duke reflektuar përgjegjësinë e lidership-it, domethënë vazhdimësinë.
Fushata elektorale e PD-së, qendrorësuar në artikulimin politik të liderit të saj Basha, markohet nga një sërë keqkuptimesh, a moskuptimesh, që, me shumë gjasë, do të konvertohen në kosto votëbesimi.
Keqkuptimi (moskuptimi) konceptual i mitit të “atvrasjes”, artikulohet politikisht nga Basha autor libri. Zanafillë është tragjedia “Edipi mbret” e Sofokliut, prej nga Frojdi, me një mprehtësi gjeniale, formuloi disa nga tezat themelore të psikanalizës. Konceptualisht, “atvrasja” është kundërshtim i modelit atëror si dominancë, për t’i dhënë udhë sendërtimit modelor të unit personal. Nuk ka lidhje me mohimin e “Atit” si vlerë, por me prurjen ndryshe, e cila synon një vizion tjetër nga e shkuara, pa e nëpërkëmbur atë.
Një kalesë e shkurtër qark rrugëtimit elektoral të kësokohshëm të Bashës, ku gjithmonë bashkëngjitet një çetë flamurmbajtësish fishkëllimtar, autokolona e makinave borindezur, e klasifikon si një miniaturë të mekur, kundruall fushatave të kryera “mjeshtërisht”, në vite, nga “Ati” i tij politik. Pavarësisht përpjekjes së Bashës për një tonalitet ligjërimor entuziast, me synim rritjen e adrenalinës së spektatorëve, me shpresën e grishjes për vota në kuti, e tëra precipiton në një rrrëkezë akuzash, premtimesh në eter, me një nerv pikëllues për formuluesin. Të ndërrmend vargjet lasgushiane:
Me përbrëndjen e shkrumbosur një poet, një deputet,
Flet e çflet e vret e pret për një të vet virgjinitet…
Keqkuptimi tjetër i Bashës, ankorohet te Makiaveli i aksiomës “qëllimi justifikon mjetin”. Në rastin e Bashës “qëllimi nuk e justifikon mjetin”. Rropatja skajore për një fushatë populiste, konturuar provincialisht, duke shpërfillur krejtësisht protokollin global të pandemisë, duke i shndërruar tubimet elektorale në mina pandemike, me risk të lartë për komunitetin, nuk kanë justifikim. Fiorentini i famshëm i Mesjetës sikur e kish parashikuar keqkuptimin kur shkruante: ”Princi i zgjuar nuk duhet të mbajë kurrë premtimin e dhënë, në rast se një gjë e tillë do të ishte e dëmshme për të dhe kur arsyet që e kanë shtyrë për të dhënë atë premtim nuk ekzistojnë më”. (“Princi”, kap. XVIII). Por kuptimi vjen prej leximit, përndryshe…
Shpresa e Bashës se Rama nuk mund të fitojë tre mandate është keqkuptimi i rradhës. Klisheja se, në demokraci, formacioni politik në qeverisje, që ka realizuar dy mandate, i ka realizuar pritshmëritë ndaj zëvendësohet vetvetiu, duhet përfillur, antropologjikisht, si mit politologjik. Në fakt një përfundim i tillë nuk ka asnjë referencë logjike. Po, mund të jetë përfundim ontologjik prej përvojës, por nuk ka asnjë lidhje me dialektikën politike në mjedise të ndryshme. Duke u qasur në mjedisin tonë politik Rama nuk po shfaq asnjë gjurmë “erozioni” të vullnetit të tij politik për të fituar mandatin e tretë. Përkundrazi, po dëshmon freski në projektet ardhmërore, ego lidershipi në rritje, sikur ky të jetë jo mandati i tretë, por i pari. Në të vërtetë numri 3 ka simbologjinë e vet: 1-shi vjen edhe rastësisht, 2-shi nuk mjafton, 3-shi është përplotësim.
Ka shumë gjasë që Rama të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve, bazuar edhe në të dhënat e sondazheve që me përditësimin e shpeshtë e përforcojnë këtë pritshmëri. Për herë të parë në historinë pluraliste të politkës shqiptare do të kemi një fomacion politik që fiton tre mandate qeverisëse. Kjo do të ishte një përgjegjësi shumë, po, njëmend, shumë e madhe për Partinë Socialiste dhe Ramën si lider.