Miliona njerëz në botë e kanë të vështirë të ambientohen me realitetin e ri, të ofruar nga prezenca e COVID-19 në botë.

Masat për të parandaluar virusin e rrezikshëm, janë përdorimi i maskave mbrojtëse dhe distancimi social, si dhe muajt e fundit, janë shpikur dhjetëra vaksina, të cilat po përdoren me ritme të shpejta në mbarë globin, për të frenuar përhapjen e virusit.

Por, një nga problematikat e qytetarëve është përdorimi i maskave mbrojtëse, ku në shtete të caktuara janë të detyrueshme si në ambientet e mbyllura ashtu dhe në ato të hapura. Një burim për gazetën angleze “Metro”, ka deklaruar se maskat janë tepër efikase dhe kanë rol parësor në uljen e infektimeve, duke nisur nga Britania e Madhe e më gjerë.

Por, me uljen e rasteve dhe imunizimit të qytetarëve përmes vaksinave, kjo masë, mund të hiqet përfundimisht gjatë verës. Edhe dimri nuk do të jetë i ashpër si gjatë dimrit që lamë pas, pasi supozohet se shumica e popullsisë do të jetë e imunizuar.

Po i njëjti burim, duke iu referuar situatës së COVID-19 në Britaninë e Madhe, tha për “Metro” se në Ishull, mund të ketë lehtësim të masave. Sipas tij, personat që kanë marrë dy dozat e vaksinës, mund të takohen lirisht dhe të kenë qasje në shumë aktivitete që deri më tani janë të ndaluara në Britani.