Nga Gerta Duraku – Kandidate e PS në qarkun Kukës/

Prilli është muaj me ngjarje të mëdha për Kukësin tonë. 16 Prilli i vitit 1999 është një datë, e cila do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit tonë, këtej dhe andej kufirit. Ishte dita kur nisi eksodi i shqiptarëve të Kosovës. Rreth një milion shqiptarë, u detyruan nga forcat serbe, të shpërnguleshin nga shtëpitë dhe trojet e të parëve. Kukësi dhe e gjithë Shqipëria hapën dyert e zemrave dhe shtëpive për vëllezërit nga Kosova. Ishte viti kur ne shqiptarët, treguam se jemi NJË!

Këtu ku jemi sot zbarkuan avionët ushtarakë të NATO-s në 1999, për të sjellë ndihma për vëllezërit tanë. Nga pista e këtij aeroporti, larg të qënit një pistë me standarte si kjo e sotmja, nisi kthimi i vëllezërve tanë në shtëpitë e tyre.

Edhe sot, 22 vjet pas eksodit, 18 Prilli nuk është një datë e zakonshme për Kukësin dhe shqiptarët këtej e andej kufirit. Sot, ndryshe nga ai vit i largët, 18 prilli është dita e parë e një të ardhmeje që të gjithë e kemi pritur kaq shumë. Një e ardhme, themelet e të cilës i hodhi Partia Socialiste dhe Edi Rama.

Vëllezër dhe motra,

Unë ndihem e emocionuar që më në fund, falë këmbënguljes së Edi Ramës, ne kemi aeroportin e ri, një investim që do të transformojë përgjithmonë jetën e çdo kuksiani dhe ekonominë e çdo familjeje. Aeroporti i ri nuk është thjeshtë një prej investimeve më të mëdha në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, ku do të krijohen shanse punësimi dhe përmirësim të kushteve të jetesës për të gjithë kuksianët. Ai është mbi të gjitha, dëshmia konkrete se Edi Rama dhe Partia Socialiste e mbajnë fjalën, se thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë!

Ne socialistët kemi treguar se kemi vullnetin, vizionin dhe këmbënguljen për t’u shkuar gjërave deri në fund. E kemi treguar me Rindërtimin, e kemi treguar me Vaksinimin masiv, e kemi treguar me Aeroportin e Kukësit, me Stadiumin e Kukësit, Spitalin e ri të Kukësit që përfundon së shpejti. E kemi treguar dhe do ta tregojmë me shumë projekte madhore, nga veriu në jug të Shqipërisë. Miqtë e mi, asnjë nga këto nuk do të ishin realizuar, pa një udhëheqës dhe një parti që nuk heq dorë kurrë. Asgjë nuk do të bëhej pa vullnetin e hekurt të një qeverie, që punon pa pushim për të arritur objektivat, që e bëjnë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Kukësi por edhe e gjithë Shqipëria po sheh me sytë e vet, se si politika e re e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste ndërton, mban fjalën e dhënë dhe jep shpresë për të ardhmen, ndryshe nga politika e vjetër që dy rrugë ka ofruar dhe ofron: o gjumë, o shkatërrim e dhunë. Asnjëherë punë!

Për këtë arsye, ne socialistët e kërkojmë votën për numrin 12, për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën me kokën lart, sepse ne jemi skuadër e punës dhe fjalës së mbajtur. Dhe Kuksianët si njerëz të punës që janë, do e tregojnë vlerësimin e tyre në 25, prill duke i dhënë 2 mandate Partisë Socialiste të Shqipërisë.

*Fjala e mbajtur sot në inagurimin e aeroportit të Kukësit