Frank Lampard u shkarkua nga Chelsea më datë 25 janar. Trajneri anglez është rikthyer të flasë rreth aventurës te “Blutë e Londrës”. Në prononcimin e dhënë për Daily Mail, 42-vjeçari pranon se futbolli e ka konsumuar, teksa po pret ofertën e duhur për t’u kthyer në stol.
“Aventura si trajner i Chelsea ishte e jashtëzakonshme, klubit i jam jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë që më dha. Ishte një periudhë e pabesueshme. Luajtëm shumë ndeshje pa tifozë, e kemi ndjerë shumë mungesën e tyre.
Si një ish-futbollist që jam, unë e di se çfarë ndikimi të madh ka prania e publikut te lojtarët dhe skuadra. Futbolli më ka konsumuar jetën, në fillim si lojtar dhe tani si trajner. Askush nuk dëshiron të humbasë punën e tij, por në fillim të karrierës ndodh, pasi nuk ka rëndësi sesa i aftë je.
Shkarkimi më ka mundësuar të kaloj më shumë kohë me familjen time. Kam marrë disa oferta joshëse në dy muajt e fundit, por nuk ishin ofertat e duhura për t’u kthyer në pankinë. Nuk dua të nxitohem, edhe pse dëshira për t’u rikthyer është e madhe“, deklaroi trajneri anglez.