Nga Carlo Bollino/ Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij mburren me rezultatin e 2021, sikur të ishte një fitore politike madhështore e sabotuar vetëm nga shitblerja e votave nga ana e kundështarëve. E quajnë “manipulimi industrial” dhe e konsiderojnë “fakt” duke harruar, sic ndodh gjithmonë në akuzat e tyre fanatike, të japin edhe prova. Askush nuk përjashton që të kenë ndodhur episode shitblerje votash, sic ka ndodhur gjithnjë në Shqipëri dhe si, për fat të keq, ndodh edhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria.

Pyetja ime është një tjetër: A kanë qenë në gjëndje këto episode të përmbysin rezultatin? Përgjigja është jo. Nëse fenomeni do të ishte masiv sic pretendon opozita, për përmbysjen deri të 11 mandateve (që korrespondojnë me të paktën 150.000 vota), do ta kishin vënë re edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët në raportin e tyre paraprak flasin vetëm për episode tashmë të njohura të denoncuara nga partitë dhe vetëm në një rast të konstatuar direkt nga ata.

Ngjarjet publike mbi të cilat po heton edhe SPAK, kanë si protagonistë kryesisht aktivistë të LSI, madje edhe një kandidat të tyrin në Tiranë të filmuar ndërsa blinte vota dhe pastaj disa militant të PS dhe PD. Si të thuash që në këtë fushë askush nuk është pa mëkat.

Por ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe pjesa më e madhe e diplomacive europiane, i kanë konsideruar legjitime zgjedhjet. Nëse ka episode të tjera, duhet të dokumentohen natyrisht, të denoncohen dhe të verifikohen, por nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin. Dhe prova është pikërisht te vetë rezultati.

Nëse opozita pretendon vërtetë se është “shumica dërrmuese”, të cilës iu vodh fitorja për shkak të manipulimeve, si e shpjegon që në 2021 ka marrë më pak vota se në 2013, kur pranoi se kishte humbur në mënyrë legjitime? Ku është fitorja politike që pretendon Lulzim Basha, kur në realitet pas tetë vitesh në opozitë (dhe pas disfatës katastrofike të 2017) nuk ishte në gjendje të rekuperonte as votat e marra në dorëzim nga Sali Berisha?

Le të shohim disa shifra: Në zgjedhjet e 2013 Partia Demokratike arriti të marrë 528.373 vota dhe duke mbledhur edhe votat e PDIU, PR, PDK, dhe PAA të bashkuara si sot edhe atëherë në koalicionin e Sali Berishës, në total shkon te 641.426 vota. Pra 19.000 vota më shumë se rezultati i marrë me 25 prill, nga të njëjtat parti të bashkuara me listën e Lulzim Bashës (që mori 622.234). Ku është fitorja politike që sot pretendon PD? Dhe ku është prova e grabitjes së votave, sic pretendon Lulzim Basha dhe sic nënvizon me fanatizmin e tij intolerant edhe Mark Marku, i pari dhe deri tani i vetmi që betohet që PD nuk do të njohë kurrë këto zgjedhje?

Në të vërtetë, pikërisht në qarkun e Lezhës ku “profesori i gazetarisë” është përgjegjës politik, gjejmë provën se PD gënjen, qoftë për fitoren madhështore, qoftë për grabitjen e votave. “Në Lezhë arritëm një fitore më të madhe në të gjithë historinë e pluralizmit”, shkruan në faqen e tij facebook Marku. Një gënjeshtër flagrante, sepse falë edhe kontributit të tij, PD me aleatët mori në Lezhë 33.998 vota, kundër 36.343 vota të marra nga Berisha në zgjedhjet e 2013 me të njëjtët aleatë (po pa Mark Markun). Pra janë 2345 vota më pak. Nëse janë vjedhur sic pretendon Mark Marku dhe Lulzim Basha, ku kanë përfunduar? Provojmë ta zbulojmë.

Zgjedhjet e 2013, të menaxhuara nga qeveria Berisha, janë konsideruar përherë legjitime nga PD. Le të kthehemi tek ato rezultate: Në Lezhë Partia Socialiste në 2013 mori 26.731 vota, kundër 27.205 të marra sot, me një rritje (uniformë në të gjithë vendin) prej 474 votash. Pra, nuk është Partia Socialiste që ka vjedhur 2345 votat e humbura nga Mark Marku.

Nuk i ka vjedhur as LSI që të dielën në Lezhë mori 1327 vota më pak se tetë vite me parë. Edhe pa dashur të vemë bast për metodat zgjedhore të Tom Doshit, nuk i ka vjedhur as Partia Socialdemokrate pasi në Lezhë mori vetëm 319 vota, përkundër 995 votave të marra në 2013. Ku ka përfunduar pra diferenca prej 2345 zgjedhësish që në 2013 votuan për koalicionin e Berishës, por në 2021 nuk votuan për koalicionin e Bashës, meqë asnjë parti tjetër nuk i ka vjedhur?

Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet Lulzim Basha para se të denoncojë manipulime. Nëse në Lezhë (por analiza vlen dhe për qarqe të tjera) numrat tregojnë se askush nuk ka vjedhur asgjë, do të thotë se ishte Partia Demokratike me aleatët që humbi, dhe nuk është politikisht e pranueshme të maskohet kjo disfatë duke hedhur baltë mbi të tjerët. Ndershmëria imponon që para se të akuzojë të tjerët, Basha të pranoi para së gjithash cilat janë gabimet e bëra në këto vite që e penguan të marrë një votë më shumë në krahasim me humbjen zgjedhore të 2013 të Sali Berishës, madje, për hir të së vërtetës, 19.000 vota më pak.

Në politikë gabimet kanë një kosto dhe Basha ka bërë shumë të tillë. Gaboi strategji duke djegur mandatet dhe duke bojkotuar zgjedhjet administrative të 2019 “duke i dorëzuar qëllimisht gjithë pushtetin Edi Ramës” sic e pranoi më në fund edhe Monika Kryemadhi duke bërë autokritikë. Basha gaboi se u rrethua nga këshilltarë dhe analistë ekstremistë duke adaptuar bashkë me ta të njëjtën gjuhë radikale të sygjeruar nga Sali Berisha që pëlqehet nga militantët, por refuzohet nga zgjedhësit e moderuar.

I njëjti gabim i kryer nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët pas vitesh qetësi dhe dashuri, kur LSI ishte në kulmin e forcës së saj elektorale, e shkrinë partinë me agresivitetin e tyre të papritur. Basha gaboi në ndarjen e frontit të opozitës së bashkuar, duke u prezantuar me LSI në dy lista të ndara: me një simulim të thjeshtë zbulohet se duke mbledhur votat e marre nga lista Basha me ato të LSI në 25 prill, Partia Socialiste do të zbriste në 70 mandate, duke i krijuar jo pak probleme mandatit të tretë të Edi Ramës.

Basha gaboi, në fund, edhe në përzgjedhjen e kandidatëve të vendosur në listë, shumë prej të cilëve u treguan totalisht të pazotët për të sjellë vota të reja në parti. Rasti i Mark Markut që mori më pak se gjysma e herësit në qarkun e Lezhës, nuk është as më i rëndi. Gati kudo, figurat e spikatura të zgjedhura nga Basha në krye të listave morën shumë më pak vota nga kandidatët të vendosur në zona jo fituese.

Pervec në disa raste të bujshme si në Tiranë, ku u kandidua edhe një si Clirim Gjata që pasi doli për tetë vjet në televizion duke sulmuar qeverinë dhe duke shpifur kundershtare, bindi vetëm 415 vetë që ta votonin, duke rezultuar në fund kandidati më pak i votuar i kryeqytetit. Si pretendonte Basha të fitonte me këta ushtarë të lodhur? Si mund të ankohen sot qe i kane vjedhur fitoren, nëse në 2013 Berisha, edhe me më shumë vota, pranoi humbjen?