Është e vërtetë që Lionel Mesi po kalon një moment të artë me Barcelonën, por sfida e sotme duket e mallkuar për kapitenin argjentinas. Sulmuesi i katalanasve është lojtari me më shumë gola në historinë e “El Clasico”-s, por herët e fundit nuk ka pasur shumë sukses përpara portës madrilene.
Në muajin maj do të bëhen 3 vite nga ndeshja e fundit që “Pleshti” ka shënuar ndaj Realit. Që nga koha kur është larguar Kristiano Ronaldo nga skuadra madrilene, Mesi nuk ka pasur fat dhe kjo do të thotë se i mungon sfida me portugezin. Duelet mes Realit dhe Barcelonës ishin një histori më vete kur në fushën e lojës ishin dy kampionët që kanë bërë histori në botën e futbollit.
Këtë herë ai do të kërkojë patjetër të gjejë golin në stadiumin “Alfredo di Stefano” për ta shtuar në listën e stadiumeve si “viktimat” e tij. Për më tepër, Leo Mesi do të luajë “El Clasico”-n e 45-të në karrierë dhe në këtë mënyrë do të barazojë Serxho Ramosin, i cili është i dëmtuar. Ata janë dy lojtarët me më shumë paraqitje në këtë përballje dhe shifrat mund të “ngrijnë” në rast se do të largohen në fundin e këtij sezoni.