Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u shpreh se të dielën, “shqiptarët duhet të zgjedhin mes jetesës në Shqipëri apo kthimit të gjithë në azilkërkues”.
“Jemi në prag të zgjedhjes mes triumfit të demokracisë apo autoritarizmit. Shqipëria, shtëpia jonë, është në rrezik. Prandaj ju bëj thirrje që të mos ndaloni asnjë moment, por derë më derë bindini njerëzit që të votojnë LSI-në”, tha Kryemadhi.
“Sot i janë dërguar mesazhe kërcënuese administratës publike për të dalë në sheshin Skënderbej, por socialistët e ndershëm iu përgjigjën këtyre mesazheve duke u thënë se do të jenë në sheshin “Nënë Tereza”. Ne do t’u japim shqiptarëve mundësinë për të pasur një shëndetësi të mirë, të vërtetë, ku çdo qytetar trajtohet si qytetar evropian. Do t’u japim arsim cilësor, me mësues dinjitozë dhe jo me militantë politikë”, shtoi Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi theksoi: “Ne do të kujdesemi për të rinjtë e të rejat shqiptarë, në mënyrë që ata të jetojnë dinjotoz pranë gjyshërve të tyre. LSI do të ndërtojë një Shqipëri ku biznesi nuk falimentohet për shkak të bindjeve politike. Do të krijojmë një klimë biznesi. 25 prilli do t’iu kthejë qytetarëve sovranitetin e tyre, pasi qytetarët shqiptarë do të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë”.