Kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit, me ligj nuk ju lejohet të hyjnë në grevë. Kjo, duke qenë se fluturimet hyjnë tek shërbimet e rëndësisë jetike. Duke e ditur këtë gjë, kontrollorët dhe avokati i tyre janë mbrojtur me argumentin se ata nuk kanë hyrë në grevë, por thjesht kanë shpallur paaftësi për shkak të stresit që iu ka shkaktuar ulja e rrogës.

Por, që të provohet paaftësia për punë, për shkak të stresit, kontrollorët duhet të paraqesin një raport mjekësor, kur të vërtetohet se ata janë të paaftë për të punuar. Gjë që me sa duket ose nuk e kanë ditur, ose e kanë harruar, pasi askush prej tyre nuk ka paraqitur ndonjë raport mjekësor, se nuk është në gjëndje të paraqitet në punë.

Përkundrazi, shumë prej tyre janë shfaqur nepër debate televizive mbrëmjen e së mërkurës. Aq më tepër, që nuk mund të justifikohet dot fakti, se papritur këta u bënë të paaftë për të punuar të gjithë në të njëjtën kohë. Ndaj, përveçse rrezikojnë shkarkimin nga puna dhe zëvendësimin me të tjerë, ata rrezikojnë edhe burgun./TemA