Ish-kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, u takua me disa nga kampionët e sportit në njësinë 10, të cilët i ofruan mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 25 prillit. Duke bashkëbiseduar lidhur me vizionin e tij sa i përket mandatit të tretë, Xhafaj iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejta të sportistëve, por edhe qytetarëve që shkruanin njëkohësisht në rrjetet sociale. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deputeti socialist Xhafaj është ndalur tek lufta ndaj korrupsionit, fuqizimi i SPAK, ambicia e tij për të çuar deri në fund betejat e nisura si dhe në disa momente personale ku bashkëbiseduesit e kanë pyetur mes emocioneve të të qenit gjysh dhe politikan.
Për të shprehur mbështetje ndaj Xhafajt, në takim ishin Luiza Gega, atletja që do përfaqësojë për një tjetër rekord Shqipërinë në Lojërat Olimpike Tokio 2021; Izmir Smajlaj, kampion europe dhe 5 herë fitues i ballkaniadave; Blendi Nallbani, drejtues i klubit “Studenti”, kampion kombëtar me “Tiranën” e “Partizanin”; Kristina Hanxhara, kampione e sportit të qitjes; Elona Allmuça, kampione e mundjes tek ekipi i “Partizanit”; Emiljana Ciko, kampione rekordmene në hedhjen e çekiçit dhe disa sportistë të tjerë. Xhafaj nënvizoi hapat e jashtëzakonshme që janë bërë këto vite në luftën ndaj korrupsionit, sidomos me një sërë masash rregullatore që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj qytetarëve.
“Janë bërë hapa të konsiderueshëm për ta ngushtuar mundësinë e korrupsionit në zyrat e shtetit. Ky është një hap pozitiv, por është i pamjaftueshëm. Ka një korrupsion të vogël që ne e quajmë “korrupsioni i xhepit” dhe ka një korrupsion që është edhe më i keqi, që unë e quaj ndryshe “korrupsioni i kravatave”, i cili ka të bëjë me ne, me politikën. Prandaj është shumë e rëndësishme lufta kundër korrupsionit dhe në mënyrë të veçantë lufta ndaj pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivele të larta”, tha ai.
Xhafaj tha se është bërë shumë, por duhet bërë edhe më shumë prandaj ne, Partia Socialiste, ishim lokomotiva e një reforme të rëndësishme, siç është Reforma në Drejtësi. Përmes saj, tha ai, “mundësohet reformimi i sistemit për të dhënë drejtësi dhe për t’i konsideruar të gjithë të barabartë para ligjit, përkthyer rrjedhimisht edhe në një instrument të fortë për luftën kundër korrupsionit”.
“Unë jam shpresëplotë që me bërjen eficiente të sistemit të ri të drejtësisë, pandëshkueshmëria do të vijë duke u ngushtuar. Njëkohësisht me masa të tjera shoqëruese që qeveria ka nisur dhe që besoj do t’i intensifikojë në mandatin që vjen, do të bëjë të mundur që të ndërpriten ato ura ose mundësi të korrupsionit në shoqëri. Sigurisht korrupsioni nuk është një fenomen që gdhihesh në mëngjes dhe thua nuk ekziston më, është një proces, një luftë që i bëjnë edhe shoqëritë më të përparuara. E rëndësishme është që të kesh instrumente të forta, të qëndrueshme që të përballen me këtë fenomen që e kanë të gjitha shoqëritë sot”, tha ai.
“Ky ka qenë projekti kryesor i jetës sime dhe mund të them që është ende i papërmbushur, për aq kohë sa ende nuk është bërë funksional i gjithë sistemi, për aq kohë sa nuk është realizuar ende ajo pritshmëri që kemi ne, që kanë qytetarët, që kanë partnerët ndërkombëtarë për ta parë këtë drejtësi në veprim, funksionale, dhe me efekte konkrete në dhënien e drejtësisë dhe shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha ai. I pyetur se pse nuk është futur njeri në burg, Xhafaj tha se, “ka pasur disa raste dënimesh edhe në fushën e korrupsionit në mënyrë të veçantë gjatë këtyre dy viteve të fundit, sepse ka ndërgjegjësim dhe një rol më proaktiv të sistemit të hetimit dhe gjykimit të drejtësisë penale”.
“Me ngritjen e strukturave të SPAK dhe me ngritjen e BKH, unë besoj se do të shohim gjithmonë edhe më shumë raste konkrete, të ndëshkimit, hetimit dhe gjykimit të rasteve korruptive jo vetëm në nivelet e ulëta, por edhe në nivelet e larta. Por të mos harrojmë që e gjithë ky nuk është një proces i lehtë. Sot flasin për drejtësinë, pasi e kanë penguar me muaj të tërë që të bëhej kjo drejtësi. Pak kohë përpara ne kishim një rast të pastër korrupsioni për një drejtues lokal lidhur me pronat në bregdet dhe shkoi policia, bëri investigimet, prokuroria e çoi për masë sigurie, gjykata vendosi arrestin. Kjo opozitë që kërkon të vijë sot në pushtet shkoi e gjithë u transferua në Lezhë për të mbrojtur përfaqësuesin e saj përballë drejtësisë. Nuk është e lehtë për një polic, një prokuror, një gjyqtar në këtë presion. Që ta bëjë këtë gjë duhet të ketë integritet vetë, të jetë profesionist i zoti. Më parë nuk e kishim sistemin të përbërë nga njerëz të tillë. Ndaj u desh që të bëhej Vetingu dhe të ndërtoheshin këto institucione të reja, në mënyrë që të ketë brenda njerëz me integritet që t’u qëndrojnë presioneve dhe që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, qoftë ky një qytetar i thjeshtë apo një politikan si puna, ime”, shtoi ai.