Nga Alfred Peza/
Nëse ti je një njeri që ke sadopak njohuri për mënyrën sesi zhvillohen fushatat elektorale në terren dhe sheh çdo çdo ditë rrjetet sociale, portalet, lajmet dhe emisionet e debateve politike televizive, atëherë kupton se kjo e kësaj radhe, po zhvillohet jashtë vëmendjes së publikut.
Sepse tjetër gjë komplet është fushata konkrete nëpër fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë reale dhe një gjë krejt tjetër, ajo që po përcillet këto ditë virtualisht nëpër media. Përtej takimeve të liderëve kryesorë të vendit që përcjellin mesazhet e partisë dhe koalicioneve të tyre parazgjedhore, përtej spoteve publicitare dhe përtej postimeve me tekst, foto a video të kuruara nga profesionistët e komunikimit, ka një fushatë tjetër.
Është gara e egër që po zhvillohet për çdo votë, në çdo familje, fis, rrugicë, lagje, fshat, Njësi Administrative, Bashki dhe brenda çdo Qarku, jo vetëm mes kundërshtarëve politikë të rreshtuar në lista dhe kampe të kundërta, por edhe brendapërbrenda llojit. Përtej përpjekjeve për të mbushur me vota thesin e madh të partive dhe koalicioneve parazgjedhore, është gara për rankimin final të secilit prej kandidatëve, sipas votave që do të marin edhe individualisht.
Gara për këtë lloj vote, po i jep edhe identitetin e veçantë këtij këtij procesi elektoral, duke e bërë atë të ndryshëm nga të gjitha të mëparshmet. Është gara që buron nga veçoria themelore e sistemit të ri zgjedhor, që i ka dhënë këtë radhë të drejtën shqiptarëve, që të kenë jo vetëm një, por dy vota. Njërën votë për partinë që mbështet dhe tjetrën, për njërin nga kandidatët për deputetë që pëlqen më shumë, e që garon në qarkun e tyre.
Pavarësisht nëse janë renditur në zonën fituese apo humbëse të listave. Pavarësisht nëse janë të parët, në mes apo në fund të listës, secili prej kandidatëve për deputetë më 25 prill, do të kuotohet me votë në bursën e politikës shqiptare. Pavarësisht nëse do të jenë në mazhorancë apo në opozitë, sa më shumë vota do të marin, aq më të madhe do ta kenë nesër vlerën politike dhe peshën e tyre individuale elektorale brenda partive, në skenën lokale dhe atë kombëtare.
Ata që mund të jenë nesër pjesë e Parlamentit të ri, jo për shkak të votave të fituara individualisht, por për shkak të dhuratës që i ka bërë partia dhe lideri i saj duke e renditur në zonën fituese të listës, do të jenë më të dobëtit në 4 vitet e ardhëshme. Sikundër ata që do të fitojnë më shumë vota se të parët, por duke qenë në zonën jo fituese të listës nuk do ia dalin që të marin mbi 10- 11 mijë vota për tu futur në Parlament, do të jenë më të fortë.
Kjo do të diktojë karrierat e tyre politike në të ardhmen, pasi do të tregojnë për herë të parë në dritë të dillit, sesa mbështetje popullore dhe peshë specifike kanë realisht në terren. Mund të jesh nesër në këto kushte, “de jure” brenda në Parlament për 4 vite, por do jesh “de facto” jashtë skenës politike. Sikundër mund të mos jesh pjesë e Parlamentit “de jure”, por për shkak të mbështetjes popullore që siguron këto ditë me votë, mund të jesh “de facto” edhe më shumë pjesë e politikës reale sesa ata që kanë përfituar mandate pa vota.
Kjo do ta orientojë dhe diktojë ndarjen e pushtetit, drejt atyre që gëzojnë realisht mbështetje popullore. Qenia njëri nga ata 140 deputetët e Kuvendit, nuk të bën më automatikisht një politikan të rëndësishëm, nëse nuk e shoqëron këtë me fuqi individuale elektorale. Pasi qenia në Parlament me këtë sistemt të ri zgjedhor, është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të qenë domosdoshmërisht pjesë e elitës reale të pushtetit nesër.
Sa më shumë që po i afrohemi ditës së votimit, aq më shumë kjo po kuptohet nga secili prej kandidatëve për deputetë, në këtë garë. Duke i bërë ata gjithnjë e më koshientë, për veçorinë specifike të kësaj gare e cila përkundër të gjitha kritikiave të mëparshme, po e tregon veten se është me lista të hapura.
Është pikërisht kjo cilësi e veçantë e këtyrë listave, ajo që po dikton në terren një tjetër lloj fushate nga tradita e zgjedhjeve të shkuara, që vazhdon të përcillet për inerci nga mediat tona edhe këtë radhë. Kjo e bën fushatën që po zhvillohet kudo në terrenin e Shqipërisë sonë reale, të jetë ende jashtë vëmendjes së kësaj Shqipërisë tjetër virtuale, që vijon të projektohet nga mediat. (Alpenews.al)