Kryetari i Bashkisë së Tiranës priti në zyrën e tij familjarë të Dëshmorit të Atdheut, Arjan Sala, i cili humbi jetën, pasi shpëtoi 25 kolegë nga zjarri, të cilëve u dorëzoi në mënyrë simbolike një kopje të tabelës së rrugës që do mbajë emrin e të ndjerit.
Veliaj u shpreh se shumë vajza e djem, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, janë frymëzuar nga gjesti i heroit Arjan Sala.
“Unë e di që për ty, ai është drita e syrit dhe djali por për pjesën më të madhe të shqiptarëve është një hero dhe ke lindur e rritur një hero dhe një djalë të respektueshëm, ndaj dua ta kujtojmë si të tillë, si një hero të qytetit. Ai nuk është vetëm djali i familjes, por është një hero që në qytet u sigurua që 20 nëna të tjera të mos visheshin me të zeza, 20 prindër të shkonin në shtëpi, duke dhënë jetën e vet”, i tha Veliaj babait të Arjan Salës.
Babai i Arjanit, Fadili falenderoi kryebashkiakun: “Ju falënderoj shumë nga zemra, edhe në emër të familjes, që keni bërë për mua dhe na keni lehtësuar dhimbjen me këto që thoni. Ju falenderoj shumë nga zemra!”
Rruga që do mbajë emrin “Arjan Sala” ndodhet pranë Spitalit Ushtarak në Laprakë, në Njësinë 11.