Nga Carlo Bollino
Prej katër vitesh Lulzim Basha mburret përballë militantëve të tij duke i siguruar se “shumica dërrmuese e shqiptarëve janë me ne” dhe se mezi presin ditën e zgjedhjeve që ta emërojnë kryeministër të vendit. Tani që zgjedhjet u bënë dhe Edi Rama fitoi për të tretën herë, Lulzim Basha po zbulon se është në krye vetëm të një “pakice dërrmuese” që ështa gati ta “shqyejë”. 12 vite në opozitë janë dhurata që Lulzim Basha dhe analistët dhe këshilltarët e tij sapo i paketuan mbështetësve të tyre, falë edhe kontributit të jashtëzakonshëm që dhanë Sali Berisha, i njohur si “doktor mortja” dhe Ilir Meta, president i republikës i penduar që u bë kryetar Shteti por që në të vërtetë mbeti vetëm kryetar partie. Problemi është se ndërkohë partia e tij u shkri, jo vetëm falë deklaratave mbështetëse të bëra në vite nga Petrit Vasili, por mbi të gjitha, falë faktit se liderin e saj, Monika Kryemadhin, e ka si bashkëshorte.
Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta janë në fakt tri kokat e një “triarkie familjare”, e cila nga 1992 deri më sot mban peng mbi 50 % të vendit. Vota e 25 prillit ishte një shprehje shumë e qartë proteste kundër tyre dhe kundër kulturës së dhunës, të prapambetjes, të shpifjes dhe shkatërrimit, që këta vazhdojnë të përfaqësojnë. Por, në të njëjtën kohë, ishte dhe një votë mbështetje dhe besimi për Edi Ramën, të cilit, shumica e shqiptarëve i fali mëkatet dhe gabimet e kryera në tetë vite qeverisje, duke preferuar aftësinë e të qenit i vetmi lider në gjendje të mbrojë vendin nga “triarkia familjare”, që 50 % e shqiptarëve e urren.
Në debatin sfilitës të salloneve televizive, mes hipotetikësh të mirë e të këqinj (që Ilir Meta e trasformoi në një referendum për 25 prillin), populli sovran zgjodhi Edi Ramën, dhe është ky momenti që triarkia Berisha-Basha-Meta ta marrë mirë parasysh. Ata janë pakica në vend. Një pakicë dërrmuese që meriton respekt, por të parët që duhet ta respektojnë, janë pikërisht liderët dhe analistët e saj që duhet të pushojnë së gënjyeri. Ky është një nga gabimet fatale që kanë bërë në tetë vite deri në ditën e fundit të fushatës së tyre zgjedhore. Perceptimet dhe bindjet personale nuk mund ta vlejnë më shumë se faktet, dhe gënjeshtra si e vetmja armë politike, nuk i shpërbleu. Ndonjëherë duhet të thonin edhe të vërtetën.
Ditët e fundit të fushatës zgjedhore ishin vendimtare për t’u treguar të gjithëve natyrën e vërtetë të këtyre ish-qeverisësve. Pranimi nga ana e Partisë Demokratike se kishte ngritur një strukturë të armatosur për të “mbrojtur votën”, e cila vrau në një shesh në Elbasan një militant socialist, duke mbrojtur pastaj vrasësin e duke e krahasuar me një hero; apeli për të vrarë çdo kundërshtar politik ”të dyshuar që lëvizte në lagje”, i lëshuar nga Xhelal Mziu që kërkoi të falur shumë vonë; dhe në fund, sulmi politik i çmendur i Ilir Metës ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim e akuzuar si agjente serbe që ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, të cilës Meta i kujtoi me kërcënim se “nuk ekzistojnë vetëm raketa amerikane, por edhe ruse dhe koreane”, janë autogolet e fundit të bujshme që elektorati i moderuar nuk i fali. Kurrë Edi Rama nuk do të kishte mundur t’u hiqte maskën kaq mirë e të shfaqte natyrën e vërtetë të kundërshtarëve të tij politikë, siç ata mundën ta bëjnë vetë.
Gafa që iu shtuan atyre, po aq fatale, të djegies së mandateve në parlament, rinisjes së përdorimit të bombave molotov për një përmbushje të një qeverie imagjinare dhe në fund, bojkotin e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit. Gjithmonë në emër të njeë”shumice dërrmuese” që në fakt ishte vetëm një grusht militantësh të partisë, të manipuluar dhe të indoktrinuar.
Kontributi i ofruar nga Ilir Meta në shkrirjen e partisë së tij dhe në në humbjen pasuese të PD-së, u forcua në javët e fundit, kur zbriti në fushë në vetë të parë duke udhëhequr një fushatë zgjedhore presidenciale që nuk ka precedentë në një republikë parlamentare. Sulmet e tij të pandërprera ndaj qeverisë, të bëra edhe në ditën e heshtjes zgjedhore, prodhuan efektin e kundërt me atë që dëshironte, duke i dhënë një goditje fatale gjithë frontit të opozitës. Kudo që ka qenë personalisht i pranishëm me betejat e tij kundër mullinjve të erës, duke filluar që nga Vlora, që e trasnformoi në shtabin e vet të përgjithshëm, LSI pësoi shpartallimin më të keq në historinë e saj. Thërrimet e votave që i mbetën pas rezultatit befasues të 2017 kur mori 19 deputetë, janë në fund të fundit edhe prova e asaj që i kontestonte kundërshtarëve: kush ka blerë gjithmonë vota ka qenë pikërisht ai. Këtë herë që roli i Presidentit e kishte kufizuar në negociatat e shitblerjes, rrënimi vertikal i konsesujve, u bë konfirmim i dyshimeve të të gjithëve.
Përkundrazi, rezultati i marrë nga Partia Socialiste edhe në këtë 25 prill, praktikisht identik me atë të 2017, përgënjeshtron dyshimet për manipulime me të cilat opozita dhe analistët e saj u përpoqën për 4 vite të deligjitimojnë qeverinë Rama. Media dhe eksponentët e Partisë Demokratike rinisën edhe në këto orë të rievokojnë fantazmën e votave të vjedhura, siç do të bëjnë me siguri edhe eksponentë të LSI-së të mbijetuar nga uragani, pavarësisht se raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë çertifikoi korrektësinë të procedurave zgjedhore. Nëse kjo do të jetë rruga që PD dhe LSI do të ndjekin për të justifikuar humbjen e tyre të radhës, siç sygjeron “doktor mortja” nga tavolina e tij shkatërruese dixhitale, do të jetë një rrugë pa dalje që do t’i dhurojë Edi Ramës në 2025 edhe mandatin e katërt.
Prej vitesh e përsëris, që këta ish-qeveritarë dhe analistët e tyre të palogjikë, jetojnë në një botë paralele, që është shumë larg nga realiteti ku jeton pjesa tjetër e vendit. 25 prilli tregoi me numra se kam pasur të drejtë dhe se e famshmja “shumicë dërrmuese” kundër qeverisë Rama, që Lulzim Basha tregonte se kishte në krah, ishte në rastin më të mirë vetëm një iluzion, në rastin më të keq, një gënjeshtër e ndërgjegjshme. Tani i takon Lulzim Bashës të vendosë, nëse do të shohë në sy realitetin dhe të nisë trasformimin e partisë së tij në një forcë politike moderne, që del nga kullat dhe lufton me ndershmëri dhe inteligjencë betejën politike që e pret, apo të japë dorëheqjen dhe t’i lërë hapsirë një lidershipi të ri. Gjithnjë nëse oborri i triarkisë familjare, nuk vendos përsëri në vendin e tij.